KOMBËTARJA

REUTERS/ Arben Celi
Ne besojmë!
6 September, 2013 @9:13
Kombëtarja shqiptare sot do të hyjë në një kthesë mjaft kritike, ku brenda katër ditëve do t’i luajë dy ndeshje shumë të rëndësishme, nga të cilat nëse do të mund të dilte me sukses, do të ishte shumë pranë ëndrrës së madhe, botërorit.
Sot në kryeqytetin slloven, do t’i masin forcat përfaqësuesja e Shqipërisë dhe ajo e Sllovenisë.
Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për të dyja palët. Për Slloveninë, çdo rezultat përveç fitores do të ishte dështim, pasi që gjendet në pozitën e parafundit në gurp dhe është larg synimeve që i kishte para ndeshjeve kualifikuese.
Në anën tjetër, kuqezinjtë janë deklaruar se në Slloveni do të shkojnë për fitore, megjithëse edhe barazimi nuk do të ishte keq për ta.
Trajneri italian, Gianni De Biasi, në stërvitjen e fundit ka provuar formacionin 4-5-1 me Edgar Çanin të vetmuar në sulm. Krahët pritet të mbulohen nga Odise Roshi dhe Valdet Rama, derisa qendra e mesfushës mund të përbëhet nga Ervin Bulku, Migjen Basha dhe i riu, Ergys Kaçe.
Në qendër të mbrojtjes mungesën e Mërgim Mavrajt pritet ta mbulojë Admir Teli, i cili do ta ketë partner Lorik Canën, ndërsa vijën e mbrojtjes pritet ta kompletojnë Andi Lila në djathtë dhe Ansi Agolli në të majtë. Në portë një hap përpara duket Etrit Berisha, i cili në ndeshjet e fundit të kombëtares ka dhënë siguri të madhe.
Fitorja në ndeshjen e parë, motiv shtesë
Në ndeshjen e parë të grupit ndërmjet Shqipërisë dhe Sllovenisë, që ishte zhvilluar në stadiumin e Qemal Stafës, fitores i’u gëzuan kuqezinjtë të cilët fituan me golin e vetëm në ndeshje të Odise Roshit (36’).
Përballja e sontme do të fillojë nga ora 20:30 dhe do të drejtohet nga gjyqtari hungarez, Istvan Vad.