JANUZAJ

Ngecja e Man Utd dhe pranimi i Shqipërisë
5 October, 2013 @0:25
Adnan Januzaj është temë e vërtetë në Angli. E ardhmja e tij në Manchester United nuk është e sigurtë pasi e kanë vërshuar ofertat, derisa kosovari me nënshtetësi belge ende nuk ka zgjedhur as kombëtaren për të cilën do të luaj.
Agjenti i kosovarit Adnan Januzaj ka konfirmuar se vazhdimi i marrëveshjes së futbollistit me Manchester Unitedin ka ngecur në momentin kur Sir Alex Ferguson ka dhënë dorëheqje.
Dirk De Vriese, agjenti i Januzajt, ka thënë se një numër i konsiderueshëm i klubeve janë vënë pas talentit të tij dhe presin përgjigjen vendimtare të mesfushorit.
Ndërsa Sportsmail ka zbuluar se Manchester City dhe Juventus janë më të interesuarit, derisa Bayern dhe Barcelona monitorojnë situatën.
Derisa paqartësia vazhdon për të ardhmen e tij, përkundër fjalëve të David Moyesit, pritet të shihet se çka do të ndodh.
Januzaj është tepër afër thënies Po, për Shqipërinë, parashikon Daily Mirror për shkak të presionit të madh të familjes dhe të miqve, por përkujton se ai ka të drejtë loje edhe për Belgjikën, Turqinë dhe Serbinë! Këto dy të fundit me tepër pak gjasa, për të mos thënë aspak.
“Babai i Januzajt ka qenë i qartë gjithmonë për të ardhmen e tij në përfaqësuese. Ai do të duhet t’ia nis nga diku. E-mail dhe fakse kanë arritur mjaft nga Federatat për shërbimet e tij. Ndërsa në Shqipëri janë organizuar edhe emisione televizive për te ashtu që të bindin Adnanin të zgjedhë Shqipërinë,” ka shtuar në fund De Vriese, njeriu i cili mban në duar fatin e Adnanit, së paku sa i përket klubeve.
Adnan Januzaj ka shkëlqyer gjatë turneve verore me Manchester Unitedin dhe trajneri i ri i klubit David Moyes nuk ka pasur asnjë opcion tjetër pos ta fusë atë në ndeshjet e ndryshme të Manchesterit si në Premier League ashtu edhe në garat tjera.