CHAMPAGNE
Nuk tërhiqet
13 January, 2015 @15:40
Jerome Champagne, që tashmë njihet si mik i Kosovës dhe i Federatës, do të dorëzojë kandidaturën për kreun e FIFA-së, brenda disa ditëve.
Françezi që ka siguruar 5 rekomandime nga Federata të ndryshme të futbollit, i ka thënë Reutersit në një intervistë se është më lehtë të sigurosh 50 vota për të fituar në zgjedhje sesa 5 rekomandime ku duhet të shkruajnë pse dhe çka i shtyu që ta rekomandojnë atë për kandidat.
“Besomëni që është më lehtë t’i fitoni 50 vota gjatë votimeve të fshehta sesa rekomandime nga Konfederatat që duhet të thonë se e nominoj Jerome Champagne-in për këto-këto aryse,” ka thënë ai për Reutersin.
“Nuk jam aspak pishman për vendimin që e kam marrë dhe tashmë po punojë në këtë drejtim” ka shtuar Champagne, duke thënë se ideja e tij e kartonit të portokalltë në futboll, veçse u vodh nga Michel Platini dhe u interpretua si karton i bardhë.
Kreu i tashëm i FIFA-së, Sepp Blatter, është duke kandiduar gjithashtu për të fituar për herë të pestë detyrën e kryetarit të shtëpisë botërore të futbollit, derisa pritet që të kandidojë edhe jordanezi Prince Ali (nënkryetar i Konfederatës së Azisë), që bashkë me Champagne-in nuk llogaritet të jenë favorit për të fituar këtë post.
Champagne ka qenë mysafir i FFK-së së fundi në ceremoninë e shpalljes së futbollistit të vitit në Kosovë, ndërsa u dekorua edhe me Medalje Presidenciale të Meritave nga kryetarja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Kandidaturat për kreun e FIFA-së duhet të dorëzohen deri më 29 janar, derisa votimet për kreun e FIFA-së mbahen më 29 maj.