MEDIA
Organizimi dhe mbrojtja e hekurt, çelës i suksesit të Shqipërisë
14 May, 2015 @22:16
Portali italian i futbollit, AllFootball.it duke portretizuar trajnerin e kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, ka bërë të ditur pikat e forta dhe rrugën që çoi drejt rezultateve pozitive të Shqipërisë, në kualifikime për EURO 2016.
“Nuk ka fshehtësi në punën tonë. Mund të them se organizimi është fjala kyçe. Përmirësojmë lojën pa top, repartet lëvizin me logjikë precize. Jemi të kujdesshëm në mbrojtje dhe reduktojmë rreziqet maksimalisht. Skuadra ka identitet të lojë dhe është e vetëdijshme për këtë,” ka thënë trajneri italian për këtë portal, duke treguar çelësin e rezultateve të kuqezinjëve në rrugë për Franca 2016.
“Në gjuajte të lira, për shembull, studiojmë zgjidhje të ndryshme, sipas kundërshtarit që e kemi. Tre gola kemi shënuar kështu, derisa edhe psikologjikisht po punojmë shumë,” ka shtuar De Biasi ndër të tjera.
Shqipëria është aktualisht në vend të tretë të Grupit I kualifikues për EURO 2016 me 7 pikë, sa ka edhe Danimarka e dyta. Portugalia është e para me 9 pikë.