TREPÇA '89 - LIRIA
Oto John shkëlqen, 89shi forcon kreun
2 April, 2017 @16:52
Gabimin e Feronikelit në ndeshjen e djeshme, shumë mirë e ka shfrytëzuar skuadra e Trepçës ‘89.
Skuadra mitrovicase zhvilloi një takim shumë të mirë ndaj Lirisë nga Prizreni, takim i cili me plot meritë u mbyll 2-0 në të mirë të ‘89-shit.
Rasti i parë i ndeshjes ishte për nigerianin Oto John, i cili në minutën e 9’ të takimit gjuajti mbi portë. Në anën tjetër, prizrenasit rrezikuan fillimisht me Memajn në minutën e 20’ të takimit, i cili gjuajti fuqishëm nga distanca, mirëpo gjuajtja përfundoi jashtë.
Edhe pse Trepça ‘80 po e dominonte takimin, Liria shumë lehtë mund të kalonte në epërsi në minutën e 28’ të takimit, moment kur Henry Chibueze goditi nga 5 metra, mirëpo portieri Hajdini u tregua i vëmendshëm dhe nuk e lejoi skuadrën e tij të kalonte në disavantazh. Zhbllokimi i ndeshjes erdhi në minutën e 38’, ku pas një akcioni të ndërtuar mirë, Oto John shënoi për 1-0 pas asistimit të Florent Hasanit dhe me rezultat 1-0 u mbyll pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, dominimi i vendasve vazhdoi, derisa Liria tentonte të rrezikonte përmes kundërsulmeve të nisura nga Liridon Fetahaj. Gjithsesi, fitorja e vendasve u vulos nga Oto John, i cili si te goli i parë, edhe te i dyti u asistua nga Florent Hasani dhe lideri aktual krijoi epërsi dygolëshe. Ky ishte goli i 20 i Oto Johnit këtë sezon në Superligë.
Në vazhdim të ndeshjes, rastet për ‘xehetarët’ vazhduan. Në minutën e 70’ të takimit, Oto Johnit iu anulua një gol për shkak të pozicionit jashtë loje, ndërsa përsëritjet televizive treguan që gjyqtari anësor nuk kishte të drejtë, mirëpo kjo nuk ndikoi në epilogun final të takimit.
Gjithashtu, në këtë takim për mitrovicasit debutoi Lapidar Lladrovci, qendërmbrojtësi i transferuar në afatin kalimtar të janarit.
Kjo fitore e forcon 89-shin në krye, derisa Lirisë ia shton problemet në luftën për mbijetesë.