DUKAGJINI - LIRIA
Pa gola në Klinë, Dukagjini e Liria me nga 270 minuta pa gol!
27 August, 2023 @18:03
Në “18 Qershori” të Klinës, sot Dukagjini e Liria luajtën pa gola, 0-0 pas 90 minutave lojë.
Ky rezultat bën që të dyja këto skuadra të shkojnë në plot 270 minuta pa shënuar gol. Në asnjërën prej 3 xhirove deri tash, asnjëra prej tyre nuk e ka gjetur rrjetën!
Pjesa e parë ishte tejet e qetë sa i përket rasteve për shënim. Përveç një rasti të Marclei Santos, i cili provoi me kokë në minutën e 12’, rast tjetër serioz për shënim në këtë pjesë nuk pati dhe rrjedhimisht skuadrat shkuan në pushim me rezultat të bardhë.
Me të filluar pjesa e dytë, Liria inkuadroi në lojën Bajramin e Alidemën, me shpresë që të bëjë diçka më tepër në fazën sulmuese dhe kjo ndodhi. Prizrenasit filluan të rrezikonin më tepër.
Në anën tjetër, nivelin e lojës e ngriti edhe Dukagjini, që iu afrua golit shumë shpejt, kur një devijim i gjuajtjës së Blerind Morinës përfundoi në shtyllën e portës prizrenase.
Më vonë, Dukagjini pati fillimisht një gol të mohuar (64’) nga pritja e Arlis Shalës pas gjuajtjes së Altin Merlakut dhe një gol të anuluar (72’) për shkak të pozitës jashtë loje, ndërkohë që Festim Alidema në anën tjetër goditi shtyllën për Lirinë.
Krejt në fund të ndeshjes, për Dukagjinin u shfaqën disa mundësi të mira për shënim, por për fatin e mirë të Lirisë, në formë ishte portieri Arlis Shala, i cili sot luajti në vend të Hodajt, portierit të parë.
Kështu, dy skuadrat në krizë për gol mbeten akoma në pjesën e poshtme të tabelës.