PARTIZANI - BOTEV PLOVDID
Partizani pranë eliminimit
29 June, 2017 @18:55
Një ndeshje që filloi shumë mirë për Partizanin, me Sukajn që shënoi një supergol që në minutën e 5’, u mbyll me humbje.
Bullgarët nuk u demoralizuan nga disavantazhi i hershëm dhe arritën ta përmbysnin rezultatin, për të shënuar kështu fitore 1-3 në Tiranë dhe për t’iu afruar shumë kualifikimit, kur dihet që ndeshja kthyese javën e ardhshme luhet në Bullgari dhe Plovdidi është i favorizuar nga terreni vendas.
Barazimin bullgarët e gjetën gjithashtu me një eurogol nga Kossoko, ndërsa goditjen e ‘knock out-it’ Partizanit ia dha Nedelev me një supergoditje jashtë zonës, gol ky që e goditi në mënyrë psikologjike skuadrën tiranase, e cila më pas nuk shfaqi asgjë. Për më tepër, bullgarët e gjetën edhe golin e tretë, me Kossokon që shfrytëzoi një gabim amatoresk të vendasve dhe shënoi për rezultatin përfundimtar 1-3.
Për t’u përmendur është fakti që skuadra bullgare është dukshëm më e përgatitur fizikisht, kur dihet që sezoni në Bullgari fillon në mesin e muajit korrik, e në anën tjetër sezoni në Shqipëri fillon pothuajse në fundin e muajit gusht.
Për kualifikim, Partizanit i duhet një fitore 0-3 në ndeshjen e kthimit apo një fitore me 2 gola epërsi nëse arrin të shënojë 4 gola apo më tepër.