GANI SEJDIU - PAS NDESHJES
Pas penalltisë, ndërroi loja
6 March, 2016 @16:16
Trajneri i ri i Trepçës’89, Gani Sejdiu, ka thënë se ekipi i tij gaboi sot në Prizren duke shkaktuar penallti të panevojshme, prej ku ekipi nuk arriti të këndellet.
“U treguam të papjekur në momente të caktuara. Shkaktuam penallti të panevojshme, pastaj në ato rrethana ndërroi qasja e ekipeve në lojë. Deri në momentin e penalltisë kemi qenë shumë të mirë,” ka thënë Sejdiu fillimisht për Radio Kosovën.
“Në pjesën e dytë lojtarët e mi ishin më nervoz dhe dukej sikur i mungonte vetëbesimi. Kur u këndellëm përsëri gabuam në mbrojtje dhe pësuam, ku pastaj humbi edhe motivi për më tepër. Sa i përket kundërshtarit, Liria u tregua agresive në lojë dhe ishte më e motivuar për këtë përballje,” ka shtuar ai.
Trepça’89 u mposht 2-0 nga Liria sot në Përparim Thaçi të Prizrenit, ndërsa xhiron që vjen pret Drenicën në Riza Lushta.