UCL FINAL: TOTTENHAM - LIVERPOOL
Për të gjashtën herë, Liverpooli kampion i Evropës!
1 June, 2019 @23:01
Liverpooli është kampioni i Evropës për sezonin 2018/2019!
Skuadra e gjermanit Klopp këtë sezon fantastik e mbylli me titullin e më të mirit të Evropës, titull ky që është i pari nën drejtimin e trajnerit gjerman.
Ndeshja filloi tejet mirë për Liverpoolin, që e fitoi një penallti pa kaluar as 30 sekonda në lojë. E fituar nga Mane, penalltia u shndërrua në gol nga Salah, i cili i dha Liverpoolit një epërsi të hershme, shumë të rëndësishme edhe në aspektin psikologjik.
Më pas, pjesa e parë kaloi e qetë, pa shumë për t’u përmendur.
Në pjesën e dytë, më kërkues ishte Tottenhami. Në kërkim të rezultatit, Spurs provonin herë me krosime e herë me goditje nga distanca, por gjuajtjet më të rrezikshme që erdhën nga Son, Moura e Eriksen, u ndalën në të gjitha rastet nga brazliani Alisson, i cili zhvilloi një paraqitje mjaft të mirë.
Në anën tjetër, Liverpooli në menaxhim të rezultatit reagonte me daljet e shpejta në kundërsulm dhe pikërisht në këtë mënyrë ata e gjetën edhe golin e dytë dhe të sigurisë.
Belgu Divock Origi, që ishte vendimtar edhe në triumfin ndaj Barcelonës në gjysmëfinale, shënoi me një goditje mjaft precize me të djathtën për 2-0 në minutën e 87’ të ndeshjes, për t’ia dhënë skuadrës së tij golin e sigurisë dhe fitoren.
Për asnjë minutë sonte te Liverpooli nuk u inkuadrua Xherdan Shaqiri, mirëpo kjo nuk i pengon atij që ta fitojë medaljen e kampionit të Evropës, e cila është e dyta për ta, pas asaj të fituar me Bayernin.
Me këtë triumf Liverpooli tashmë ka 6 tituj të Champions Leagues të fituar, duke e kaluar Bayernin e Barcelonën që mbesin me nga 5, derisa para Liverpoolit ndodhen Milan me 7 dhe Real Madridi me 13.