CHAMPIONS LEAGUE
Përkundër superparaqitjes, mposhtet Partizani
26 July, 2016 @22:05
Përkundër paraqitjes fenomenale për 70 minuta, skuadra e Partizanit nuk arriti ta mbyll me rezultat pozitiv takimin e parë të turit të tretë për kualifikimet e Champions League ndaj skuadrës së Red Bull Salzburgut, kampione në fuqi e Austrisë, me ndeshjen që u mbyll 0-1 në të mirë të mysafirëve austriakë.
Skuadra nga Tirana ishte më e mirë në 70 minutat e para, duke e shfrytëzuar edhe kartonin e kuq të mysafirëve në fillimin e pjesës së dytë, mirëpo gjithçka u çrregullua në minutën e 70’, moment në të cilin skuadra austriake fitoi një penallti përmes Valon Berishës, kosovarit me pasaportë norvegjeze. Penalltia u konkretizua në gol nga sulmuesi Soriano dhe austriakët krijuan epërsinë të cilën nuk e lëshuan deri në fund.
Për më tepër, menjëherë pas golit të pësuar, Partizani e humbi edhe epërsinë numerike të lojtarëve në terren pas përjashtimit të Kalarit dhe kështu gjetja e golit të barazimit u vështirësua edhe më tepër.
Ndeshja e kthimit zhvillohet javën e ardhshme në Austri, me gjasat e Partizanit për kualifikim që janë pothuajse minimale.