SEMIFINALS: AJAX - TOTTENHAM
Përmbysje fantastike për finalen e parë në Champions!
8 May, 2019 @23:05
Po e përjetojmë një prej sezoneve më të bukura në histori të Ligës së Kampionëve!
Pas përmbysjes shokuese nga Liverpooli ndaj Barcelonës mbrëmë, ndeshje fenomenale sonte treguan edhe Ajaxi e Tottenhami në Londër, skuadra këto që askush nuk i kishte parashikuar të arrinin në gjysmëfinale, mirëpo që të dyja edhe sonte e dëshmuan që janë në këtë fazë të garës me plot meritë.
Pas ndeshjes së parë që kishte përfunduar 0-1 për Ajaxin, holandezët ndeshjen e nisën me të relaksuar dhe kaluan shumë shpejt në epërsi me golin e kapitenit De Ligt që në minutën e 5’. Kjo epërsi u dyfishua nga Hakim Ziyech në minutën e 35’ të ndeshjes dhe pjesa e parë u mbyll me epërsi dy-golëshe të Ajaxit, duke na lënë të mendojmë se Ajaxi po shkonte lehtësisht drejt finales së Champions League për herë të parë që nga viti 1996.
Mirëpo, duket se spektakli ishte ruajtur për pjesën e dytë. Duke ditur se nuk ka çfarë të humbë, Tottenhami u vërsul pa kalkulime në sulm në pjesën e dytë, derisa ‘momentumin’ e fitoi me dy gola të Lucas Mouras në minutat 55’ e 59’, për të vazhduar më pas sulmet e njëpasnjëshme për ta gjetur golin e fitores. Në anën tjetër, Ajaxi rrezikonte me kundërsulme, ndërkohë që ishte ‘në panikë’ nga dy golat e shpejt të anglezëve.
E kur u mendua se ndeshja do të mbyllej 2-2 dhe Tottenhami, që edhe sonte ishte në mungesë të Harry Kanet, do të përshendetej nga gara, në skenë doli përsëri Lucas Moura, i cili e kompletoi hat-trickun personal në minutën e 5’ të kohës shtesë, duke shënuar për 2-3 dhe duke e kualifikuar skuadrën e tij për herë të parë në histori të klubit në një finale të Ligës së Kampionëve.
Një rresht në këtë shkrim detyrimisht duhet t’i kushtohet trajnerit Mauricio Pochettino, i cili pa asnjë përforcim në dy afatet e fundit kalimtare, arriti ta dërgojë skuadrën londineze në finale të Ligës së Kampionëve, si dhe ta përfundojë sezonin e Premier Leagues brenda top katërshes. Një punë fantastike nga argjentinasi!
Kështu, për herë të parë që nga viti 2008, do të kemi një finale angleze në Champions. Më 1 qershor në Madrid, për trofeun më të çmueshëm për klube mes vete do të luftojnë Liverpooli e Tottenhami.