PORTUGEZËT PA MËSHIRË
Portugalia kualifikohet duke shfrytëzuar gabimet e turqve
22 June, 2024 @20:24
Fitorja e dytë në ndeshjen e dytë të Grupit F për Portugalinë ka ardhur shumë më lehtë se sa ajo e para, pasi që ekipi i drejtuar nga Roberto Martinez ka kaluar pa probleme Turqinë, duke i mposhtur 3-0 [Bernardo Silva 21’, Samet 28’ag., Bruno Fernandes 56’].
Në “Signal Iduna Park” të Dortmundit ku turqit dominonin në tribuna, Portugalia ka dominuar në fushë duke shënuar shpejt dy gola, ndërsa gabimet e mbrojtjes turke nuk kaluan pa u ndëshkuar, edhe kur në pjesë të dytë Bruno Fernandes mori asistimin e Cristiano Ronaldos aspak vetjak, për të shënuar për rezultatin përfundimtar të ndeshjes.
Portugalia me 6 pikë nga 2 ndeshje siguroi kalimin tutje nga grupi, ndërsa të mërkurën që vjen luajnë ndaj Gjeorgjisë ndeshjen e fundit të fazës grupore, kurse Turqia e Vincenzo Montellës do të mundohet të kërkojë së paku një pikë ndaj Çekisë për kualifikim në ndeshjen e radhës.
LOJTARI I NDESHJES NGA UEFA: Bernardo Silva (POR)