KOSOVA U21

Prekazi: Kemi treguar lojëra të mira, na duhet përkrahja
19 March, 2018 @20:44
Kosova U21 ka nisur sot përgatitjet për dy ndeshjet e radhës në kuadër të kualifikimeve për Europianin 2019, ndeshje të cilat do t’i zhvillojë më 22 e 27 mars, kundër Azerbajxhanit, përkatësisht Gjermanisë në “Adem Jashari” të Mitrovicës.
Në stërvitjen e parë kanë munguar vetëm Ardian Ismajli dhe Florent Hasani, të cilët do t’i bashkohen ekipit që nga stërvitja e nesërme për shkak të obligimeve me klubet e tyre. Stërvitja e radhës mbahet nesër në stadiumin e 2 Korrikut me fillim nga ora 13:00, derisa stafi i trajnerëve krahas punës në terren, do të bëjë edhe analizat e ndeshjeve paraprake dhe të kundërshtarëve.
Në prag të ndeshjeve për media foli Rafet Prekazi, përzgjedhëzi i Kosovës U21.
“Në të gjitha ndeshjet e deritashme kemi treguar lojëra të mira dhe këta djem kanë treguar se kanë potencial. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se jemi ekip i ri dhe realisht kundër asnjë rivali nuk mund të jemi favorit, por duhet të japim 200 përqindshin në fushë.
E dimë fare mirë kë e kemi kundërshtar, por qysh në fillim të këtyre kualifikimeve kam thënë se Kosova nuk do të jetë kafshatë e lehtë dhe kjo edhe u dëshmua. Tash pas çdo ndeshjeje ekipi po bëhet më kompakt. Dy lojtarë nga ky ekip kanë kaluar në skuadrën A dhe ky është një sukses. Edhe në dy ndeshjet e radhës pres që këta djelmosha të japin maksimumin e tyre, por atyre u duhet përkrahja e tifozëve, ashtu siç ju ka dhënë në ndeshjet e kaluara në Mitrovicë nga ‘Dardanët’ dhe populli i Kosovës, sepse ata janë të etur për lojë të mira. Mendoj se tifozët janë të kënaqur me paraqitjet e këtyre djelmoshave, kurse qëllimi ynë është që në çdo ndeshje të hyjmë për të treguar cilësi dhe normalisht për të korrur sukses.” - u shpreh Prekazi, njofton FFK
.