Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PARASHIKIM

Premier League 2020/2021, parashikim (2)

Premier League 2020/2021, parashikim (2)


Shkruan: Luan MORINA

12 September, 2020 @12:20

Ka gati tri javë deri në përfundim të afatit të transferimeve dhe shumëçka mund të ndryshojë deri atëherë.

Për shembull, Manchester City mund të sjellë edhe Koulibalyn e Napolit, sidomos pasi nuk kanë nevojë të kursejnë për Messin. Ake ka përvojë në Premier League, dhe përshtatet me treshen e Guardiolas, qoftë me Laporten, Otamendin, apo Stones. Oh, kanë edhe Eric Garcia, e edhe Walkerin.

Dhe mund të blejnë këdo tjetër!

Vetëm një kamikaz do të merrte një ekip tjetër për të fituar Premier League para Manchester Cityt, të cilët rehat janë edhe në pozitat tjera, sidomos tani me Fodenin, Rodrin, e Cancelon me më shumë përvojë nën Guardiolën. Do të jetë interesante të shohim se si do të përshtatet Ferran Torres në Premier League.

Liverpool do të përqendrohen në shpërthimin e talenteve të tyre sidomos në mbrojtje. Unë, nuk do të guxoja të futesha me vetëm tre qendërmbrojtës në një sezon që kërkon 55+ ndeshje. Sigurisht, Milner është aty edhe për të veshur dorëzat e portierit në rast nevoje, ama, nuk pritet titull me të kthyer nga huazimet dhe të ardhur nga akademia.

Pa prurje të reja, sidomos në mbrojtje dhe sulm, Liverpool do të vuajë edhe për Top 4.

Për Top4 s’do të duhet të vuajë Chelsea i Lampard, por kanë një problem të shkaktuar vet me Kepan. Së pari, nuk investohen 80 milionë në një portier me vetëm gjysmë sezoni të mirë në një ligë tjetër! Së dyti, nuk kanë mbrojtje të konsoliduar. Rudiger, Christensen, Tomori, kanë luajtur më pak se në gjysmën e ndeshjeve të ekipit sezonin e kaluar. Azpilicueta dhe Zouma kanë qenë më të angazhuarit, dhe nëse arrijnë të ruajnë formën edhe këtë sezon, atëherë s’do ta ketë të vështirë Lampard sidomos me ardhjen e Ben Chilwell.

Mesfusha është në rregull, sidomos me një sezon për mësysh nga Barkley, mbi pritjet e shumëkujt. Havertz e Ziyech japin opsione shtesë, e ngjashëm do të duhet të jetë një sezon i stabilitetit për Mount, Pulisic, e Hudson-Odoi. Sulmi është në rregull.

Për pozitën e katërt, Daniel Levy duhet të sjellë edhe së paku një sulmues, marrë parasysh historinë e lëndimeve të Kane. Hojbjerg, Doherty, e në veçanti Hart duhet të sjellin më pak kokëçarje për Mourinhon. Në gjysmën e ndeshjeve sezonin e kaluar ka mbrojtur Paul Gazzaniga, derisa Kane ka munguar në 18 ndeshje. Son ka pasur supersezon me 18 gola e 12 asistime, por tjerët kanë qenë shumë dobët! Alli nuk është vetvetja, dhe duhet të dëshmojë që nuk ka qenë lojtar vetëm për një sezon. Dier kthehet në mbrojtje me Alderweireld e Sanchez, në atë që pres të jetë ndërrim formacioni i Mourinhos në tre qendërmbrojtës, dy mesfushorë defansiv me dy krahë, dhe dy mesfushorë të avancuar drejt krahëve me Kane si pikë kryesore. Këtë pikë, pos Kane, nuk e luan askush si pozitë primare në Tottenham, dhe këtu nevojitet një prurje.

Nuk duket se janë ekip me të meta, por edhe nuk janë të mbushur në pozita. Ngjashëm si Manchester United.

Solskjaer është djalë i mirë, dhe djemtë e mirë nuk bëhen kampion. Ose ju duhet të presin ndonjë mrekulli, si rasti i Ranierit!

Solskjaer nuk është komandant që duhet të jetë një trajner, dhe nuk mund të presë këtë me Pogban në ekip. Francezi nuk ka rrugë më të mirë, dhe me gjasë do të vazhdojë edhe për shumë vite me Manchester Unitedin, të cilët edhe për shumë vite do të jenë atë çfarë kanë përqeshur tifozët e tyre – ekip që lufton për pozitën e katërt.

De Gea është super-portier, dhe është turp e poshtërim ta vësh në pikëpyetje pozitën e tij. Henderson ka pasur një sezon të mirë, por nuk është as afër De Geas. Qendërmbrojtja nuk ëshët stabile me Lindelof, i cili nuk ka as zëvendësues të mirë. Krahët e mbrojtjes nuk janë të një ekipi që lufton për titull. Mesfusha, me Bruno Fernandes e Donny van de Beek është ndër mesfushat me ‘më së shumti tru’ në futboll. Nëse Solskjaer arrin të rregulloj të dytë në një formacion, atëherë mund të shihni art në fushë.

Edhe sulmi, është në rregull me Greenwood në qendër, e Martial e James në krahë. Rashford duhet të jetë personaliteti i vitit në Angli, për iniciativat që ka marrë, dhe meriton respekt nga të gjithë. Por, në fushë, ende mbetet i njëjti – përtac dhe i mbivlerësuar. Njëjtë sikur Pogba. Me dy lojtarë më punëtor në vendin e tyre, dhe dy-tre mbrojtës, Manchester United guxon të ëndërrojë titullin. Sancho + dy mbrojtës!

Dhe, Arsenal duhet të kthehet në pozitën e katërt, nëse Arteta arrin të gjejë metodën për të mbajtur ekipin kompakt në ligë. Deri tashti, Arteta është treguar i zellshëm në garat eliminatore, dhe ekip për një ndeshje është më lehtë të rregullosh, se sa ekip për disa ndeshje. Rotacioni ka qenë problem, dhe nuk besoj që do të zgjidhet vetëm me ardhjen e Willian e Gabriel. Arsenal nuk kanë kujtime të mira me Gabrielin e fundit në mbrojtje, por nëse ngjan me këtë të sulmit, atëherë do të jenë më rehat. Mbrojtjes i nevojiten nja dy sezone për tu mësuar, dhe David Luiz është kthyer për të udhëhequr Saliban, Marin, e Gabrielin. Mustafi e Sokratis nuk di si kanë mbijetuar këto vite në një ekip më të madh se aftësitë e tyre.

As mesfusha nuk është për mësysh, ndonëse Arteta ka ‘ndrequr’ Granitin. Janë kryesisht lojtarë të rinj e të papërvojë, për të cilët sukses do të ishte kualifikimi në Ligën e Kampionëve.

Tri ekipe që pritet të ngacmojnë 6shen, dhe të sigurojnë një vend në Europa League para Conference League janë – Wolves, Leicester City, e Everton. Portugalia e Vogël ka ende punë në transferime, pasi kështu nuk do ta kenë të lehtë të mbajnë hapin me 6shen. Leicester City kanë ekip të mirë, por pas fiaskos post-Covid19, dyshimet e mija tek Brendan Rodgers rikthehen. Bile, do të shkoja edhe aq larg sa të parashihja shkarkimin e tij gjatë sezonit. Everton kanë nisur transferimet pas vendimit që FFP do të mblidhet në dy vite, gjë që lehtëson punën në treg. Allan e Doucoure mund të jenë kombinimi ma i mirë në mesfushën defansive. Doucoure ka pasur sezon të shkëlqyeshëm në Watford, sidomos për ata që luajnë FPL, derisa James para tyre duhet të gjejë akordin me Calvert-Lewin. Është koha e fundit për Kean të shpërthejë në sulm, derisa krahët e sulmit në Richarlison, Iwobi, e Bernard duhet të jenë në rregull për Top10. Problemi i Ancelottit do të mbetet mbrojtja!

Southampton me Hassenhutl e Crystal Palace me Hodgson duhet të luftojnë për pozitën e dhjetë, ngjashëm si Leeds, të cilët megjithatë nuk guxoj t’i vendos lart pas dështimeve të Fulhamit e Aston Villas dy sezonet e kaluara. Në fakt, dyshoj që Aston Villa do të mbeten aq poshtë, sidomos nëse nuk humbin Grealishin, i cili sikur Zaha, ka vlerë të madhe për ekipin ku është, por për ekipet e tjera nuk vlejnë as sa gjysma e çmimit të kërkuar.

Sheffield United përzihet në luftë për Top10, sidomos pas prurjeve të mira që kanë sjellë. Leeds do të duhej të lufton për pozitën e dymbëdhjetë, bashkë me Newcastle, si ekipet e fundit larg luftës për mbijetesë.

Aston Villa, Burnley, Brighton, West Ham, West Brom, e Fulham janë ekipet që do të luftojnë për mbijetesë. Kujdes tek Burnley që kanë ekipin më të vogël në Premier League, dhe mbi të gjitha deri sot nuk kanë sjellë askënd të plotësojë mungesat. West Ham nuk kanë kryesi të interesuar për mbijetesë, Aston Villa nuk kanë kohezion, Brighton nuk kanë ekip. Njëra nga këto, i bashkohet West Bromit e Fulhamit në Championship sezonin tjetër. Me shumë gjasë, Brighton, por prapë, kujdes nga Burnley e West Ham, dhe puna që bëjnë në tri javët e fundit!



i: Shkrimi është personal dhe nuk paraqet mendimet e redaksisë.


 
Të gjitha lajmet nga