Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

LIDERJA FITON!

Prishtina e Re fiton derbin ndaj 2 Korrikut, mban kreun

Fotot: prishtinaere/fb

Prishtina e Re fiton derbin ndaj 2 Korrikut, mban kreun


4 October, 2023 @22:16

Në një ndeshje tepër të mirë futbolli dhe në duel krejtësisht sportiv, që rrallë shihet në stadiumet e Kosovës, Prishtina e Re ka shënuar fitore ndaj 2 Korrikut në derbi të Ligës së Parë - Grupi B, për të mbajtur kreun e tabelës.

Ndeshja u luajt në “Xhemajl Ibishi” të kryeqytetit, që së fundi është bërë me 1 mijë e 500 ulëse, ndërsa pas nisjes së mirë të ndeshjes dhe rasteve të 2 Korrikut, Prishtina e Re kur shfrytëzoi mundësinë nga vendosja jo e mirë e mbrojtjes së mysafirëve me Toni Salihun që i dha epërsinë 1-0 (27’).

Me të filluar pjesa e dytë një dominim i lehtë i Prishtinës së Re në lojë u kurorëzua me gol, derisa Labinot Jetullahu shënoi për 2-0, duke mos festuar golin në shenjë respekti ndaj ish-ekipit të tij (57’).

Toni Salihu, Prishtina e Re

2 Korriku bëri disa ndërrime dhe u nis për të kërkuar golin, por gjysmërastet nuk u konkretizuan derisa Londrit Hamidi shënoi golin e parë të tij me klubin, kur hyri si zëvendësues dhe u asistua nga Redon Bejta. Ky doli të jetë rezultat përfundimtar i ndeshjes, Prishtina e Re 2-1 2 Korriku [Toni Salihu 27’, Labinot Jetullahu 57’ - Londrit Hamidi 73’].

TABELA AKTUALE

Fitorja, bën që Prishtina e Re e drejtuar nga Elon Berisha të arrijë kuotën e 18 pikëve pas 7 ndeshjeve dhe të jetë lidere ende aty, pasi që ka goldallim më të mirë sesa ndjekësi kryesor aktualisht Ulpiana. Në anën tjetër 2 Korriku i Besim Ademit që këtë stinor po tregon lojëra të pjekura, përkundër se ka shumë të rinj në ekip, ka pësuar për herë të dytë dhe tash ka 11 pikë pas 7 ndeshjes dhe është në vend të katërt.

-

Xhiro VII

Prishtina e Re – 2 Korriku 2:1 (1:0)

Gjyqtarët e ndeshjes: Gentrit Zogaj, Florim Jakupi, Uranit Berisha

Delegati i FFK-së: Xhafer Hajrullaga

Vëzhguesi i referimit: Besfort Kasumi nga Prishtina

Formacioni startues i Prishtinës së Re: Egzon Bislimi, Fatlind Azizi, Guri Hana, Fehmi Dragusha, Meridian Sejdiu, Labinot Jetullahu, Flamur Bajrami, Kreshnik Bahtiri, Samir Sadriu /kap./, Lorik Dobratiqi, Toni Sadriu. Kryetrajner: Elon Berisha.

Formacioni startues i 2 Korrikut: Arnis Ajeti, Abit Salihu, Agron Beqiri, Jehon Stublla, Milot Hyseni, Andi Oruqi /kap./, Edon Zeçiri, Gneilpekan Marius Camara, Enes Duraku, Ardit Gashi, Redon Bejta. Kryetrajner: Besim Ademi.

 


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë