PRISHTINA 2-0 LLAPI

Festa e lojtarëve të Prishtinës pas golit/ Foto: PrishtinaFC/ fb
Prishtina në formë, fitorja e tretë me radhë
22 October, 2022 @19:59
Dominim i Prishtinës edhe në ndeshjen e radhës për të shënuar fitoren e radhës. Ekipi bardhekaltër nga kryeqyteti ka tejkaluar Llapin sot në Fadil Vokrri duke shënuar fitore 2-0 [Leotrim Kryeziu 37, Endrit Krasniqi 85].
Llapi nuk kishte ndonjë rast të madh për të shënuar, ndërsa Prishtina me nga një gol për pjesë fitoi duelin, që është fitorja e tretë me radhë e tyre dhe forma më e mirë që e kanë kapur këtë stinor.
Ka qenë sulmuesi Leotrim Kryeziu që i dha epërsinë rekord-kampiones kah fundi i pjesës së parë, ndërsa dilemat e fituesit të ndeshjes i largoi mesfushori kreativ i ekipit, Endrit Krasniqi, që me golin e tij vulosi fitoren.
Me fitore, Prishtina arrin të gjashtën e stinorit ndërsa për momentin është në pozitë të tretë të renditjes tabelare, derisa Llapi është i gjashti aktualisht.
Në xhiron e radhës, Prishtina luan si mysafire e Ballkanit, ndërsa Llapi pret Dritën.