Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

LLAPI 1-2 PRISHTINA

Prishtina ngritet, Llapi pëson ‘sefte’ këtë stinor

Foto: FCPrishtina/fb

Prishtina ngritet, Llapi pëson ‘sefte’ këtë stinor


Teksti: fcprishtina

28 August, 2022 @19:56

FC Prishtina ka shënuar fitore ndaj Llapit në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë me rezultat 2:1 në kuadër të xhiros së katërt të Superligës së Kosovës në futboll.

Prishtina e drejtuar nga strategu Ismet Munishi, që në minutat e para të ndeshjes u hodh në sulm në kërkim të golit. Zhvillohej minuta e 12-të e ndeshjes kur Prishtina fitoi penallti. Kapiteni Gledi Mici harkoi bukur nga e majta për mesfushorin Endrit Krasniqi, i cili u pengua në zonë nga De Araujo ndërkohë që gjyqtari Mentor Ajeti bëri me shenjë nga pika e bardhë e penalltisë.

Goditjen nga 11-metra e mori përsipër Kreshnik Uka, i cili e kaloi ekipin kryeqytetas në epërsi prej 0:1.

Prishtina vazhdoi me lojë të mirë edhe në minutat në vijim. Mici që në këtë ndeshje ishte shumë i saktë me harkime, në minutën e 42-të e gjeti sërish në zonë kokën e Mërgim Pefqelit, mirëpo kësaj radhe në vendin e duhur ishte portieri vendas Ilir Avdyli.

Dy minuta më vonë (44’) “bardhekaltërit” edhe një herë e “testuan” seriozisht portierin Avdyli. Endrit Krasniqi nga qendra pasoi për Kreshnik Ukën, ky i fundit e shërbeu jashtë zonës Mërgim Pefqelin, goditja e të cilit nga 20 metra e detyroi “gardianin” Avdyli të shkëputet për ta dërguar topin në rivënie nga këndi.

Edhe pjesa e dytë ishte me intensitet dhe raste të shumta.

TABELA AKTUALE

Prishtina e nisi në sulm edhe pjesën e dytë. Ramiz Bytyqi (47’) harkoi në zonë për Endrit Krasniqin, por ky i fundit nuk ishte i saktë në gjuajtjen me kokë.

Llapjanët rrezikuan si fillim me Da Silvan pas ndërprerjes nga rreth 35 metra, portieri prishtinas Ardit Nika e largon topin në rivënie nga këndi duke e grushtuar.

Prishtina golin e dytë e gjeti në minutën e 58-të. Uka bashkëveproi bukur me Endrit Krasniqi, i cili depërtoi bukur nga e majta, si fillim pason për Leotrim Kryeziun, topi kthehet sërish te Krasniqi që pa shumë vështirësi e shtyn në rrjetë për 0:2.

Llapi me të inkuadruarin në pjesën e dytë, Gerhard Progni rrezikoi në minutën e 64-të. Progni lëshoi goditje të fuqishme nga 25 metra, mirëpo Ardit Nika “fluturoi” për mrekulli në këndin e portës për ta larguar rrezikun e dhuruar një nga pritjet më spektakolare deri më tash të këtij edicioni në Superligë.
Sërish Nika e mbajti portën e paprekur kur Neto pas goditjes nga këndi tentoi me kokë, dy minuta më pas (66’).

Prishtina lëshoi mundësi të artë për golin e tretë në minutën e 69-të teksa Hasan Hyseni nga e djathta asistoi për Leotrim Kryeziun e vetmuar në zonë, por kësaj radhe nuk arriti që ta shtyjë topin në rrjetë.

Llapi e ngushtoi rezultatin në 1:2 në minutën e 75-të me Trimror Selimin, i cili u shërbye jashtë zonës me kokë nga Progni dhe përballë Nikës kësaj radhe arriti që ta dërgoi topin në portë.

Prishtina edhe në minutën e 88-të ka mundur që shumë lehtë të realizojë me ç‘rast pas një kundërsulmi drejt zonës u lëshua Muhamed Useini, por në 16-metërsh e humbi topin.

Llapi në aksionin vijues ka mundur ta barazojë rezultatin kur Albion Kurtaj dhe Trimror Selimi bashkëvepruan bukur në zonë, gjithsesi Nika në fund e largoi topin e goditur nga Selimi.

Pas javës së katërt, Prishtina ka arkëtuar shtatë pikë dhe ndodhet në pozitën e dytë në tabelë me një ndeshje më pak se lideri Gjilani (10 pikë).

Prishtina ndeshjen e radhës e zhvillon ndaj kampionit në fuqi të Kosovës, Ballkanit të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri”. Ndryshe, kjo është përballja e parë e Prishtinës si vendas në këtë edicion.



i:


 
Të gjitha lajmet nga