PRISHTINA-RAHOVECI
Prishtina shkundi Rahovecin
27 October, 2018 @22:38
Seria më e mirë në histori të Rahovecit në Superligë ka marrë fund sonte. Ekipi i vreshtarëve që ka pas nisje për lakmi të stinorit me pesë fitore nga pesë ndeshjet e para të stinorit, sot nuk ka arritur t’i bëj ballë Prishtinës së stërpërforcuar.
Prishtina ka pasur në kontrollë lojën që nga çereku i parë dhe fituesi nuk erdhi në dyshim në asnjë çast të ndeshjes. Prishtina tash është ekipi i vetëm i pamposhtur i Superligës me 6 fitore nga 6 ndeshjet e para të stinorit. Sonte mposhtën Rahovecin 107-86.
Damir Mulaomerovic i ka dhënë mundësi të gjithë basketbollistëve që të paraqiten në fushë të lojës, ndërsa nga tërë ekipi, gjashtë lojtarë shënuan pikë dyshifrore.
Më efikasi te Prishtina ka qenë Dardan Berisha me 21 pikë, ndërsa më i vyeshmi Demario Mayfield, që ka kryer ndeshjen me 15 pikë, 10 kërcime e 6 asistime.
Nga vendorët tjerë, Edmond Azemi shënoi 18, Fisnik Rugova 11, ndërsa Rilind Krasniqi 7 e Meriton Ismaili 6 pikë.
Te Rahoveci, që për herë të parë pësoi mbi 100 pikë në një ndeshje këtë stinor, 29 pikët e DeShon Minnisit, 9 kërcimet e 8 asistimet tjera nuk bënin punë.
Prej vendorëve, Arian Qallaku qe i vetmi që shënoi pikë dyshifrore. Pejani i Rahovecit shënoi 15 pikë e 7 këcime, derisa Rron Ukaj dha 7 e Rron Grapci 2 pikë.
Derisa Prishtina po marshon sigurt në Superligë, Rahovecit tash i mbetet të ruajë pozitën e dytë në vazhdim të stinorit ashtu që të sigurojë pozitën më të mirë në histori të klubit përgjatë stinorit të rregullt.