GOLEADORI I DRITËS U-19, KALON TE PRISHTINA

Foto: FCPrishtina/ fb
Prishtina zyrtarizon talentin e Dritës
15 June, 2023 @14:33
Një qendërsulmues i ri, por me plot shpresa për Prishtinën. Eridon Maloku (180-cm) është zyrtarizuar sot te rekord-kampionja e Kosovës, derisa drejtori Driton Krasniqi ka prezantuar Malokun 19-vjeç si lojtar të ri të klubit.
Sipas njoftimit të Prishtinës, Maloku ka shënuar 24 gola dhe ka bërë 17 asistime me ekipin e Dritës U-19, ndërsa tash ka nënshkruar kontratë 3-vjeçare me ekipin nga kryeqyteti.
“Kam qenë nën kontratë me Dritën, por nuk isha i vlerësuar. Prishtina më kishte përcjellë, interesimi i saj më bëri të lumtur. Nuk hezitova fare që menjëherë të jem pjesë e klubit më të madh në vend duke qenë se është ëndërr e çdo futbollisti të vesh fanellën e Prishtinës. Besoj se do të bëjmë shumë gjëra të mira sëbashku. Ekipin e njoh mjaft mirë, nuk i frikësohem konkurrencës, përkundrazi besoj se do shënoj shumë gola”. - është cituar të ketë thënë Maloku për faqen zyrtare të Prishtinës.◼️