KOLUMNE - 5 PËR VIKEND
Pulismania!
Shkruan: Luan MORINA
18 March, 2017 @10:48
Pesë ndeshjet më interesante të fundjavës nën llupë. Duele që nuk bën ta kaloni vikendin pa i parë.
WBA – Arsenal (e shtunë, ora 1e30)
Më shumë se në fushë, kjo do të jetë një përballje edhe në bankën e trajnerëve. Për momentin vetëm njëri prej tyre gëzon përkrahje dhe respekt të pakontestueshëm nga fansat e ekipit të tij. Tony Pulis ka vendosur Albionët në pozitën më të mirë në histori të tyre, dhe kjo falë një kombinimi të shkëlqyeshëm të lojtarëve jo aq superiorë.
Emra si Gareth McAuley i cili po sfidon moshën pos mbrojtjes po del vendimtar edhe në sulm, aty ku Rondon ka barrën kryesore. Phillips, e Morrison bashkë me tepricën teknologjike të ManUnited e Tottenham kanë qenë të shkëlqyeshëm në mesfushë, duke dhënë kontributin e tyre për sezonin më të mirë të WBA deri tani. E Arsenali duhet të prek humnerën këtë sezon për një rifillim nga themelet!
Torino – Inter (e shtunë, ora 6)
Të dy ekipet vijnë në këtë ndeshje me një formë të pazakontë. Fitorja e thellë e Interit ndaj Atalantas mund të jetë pasqyrë e dy fakteve – Interi po konsolidohet falë Piolit në momentin më kyç të sezonit, dhe njëkohësisht Atalanta po nis të shpartallohet falë ekipit të cekët që ka.
E njëjta mund të vlej edhe për Torinon, por Mihajlovic preferon rotacione të shpeshta për t’i ikur problemit të lodhjes. Këto rotacione shpeshherë dinë të kenë efekt negativ si javën e kaluar. Janë një ekip me potencial më të madh, por që për momentin nuk po e shfaqin. Ndoshta ndaj Interit do të jenë më të mobilizuar.
Atletico – Sevilla (e diel, ora 4e15)
Cektësia në ekip ka dëmtuar edhe Sevillan. Dy barazime të panevojshme në Spanjë, sidomos ai nga Leganes dhe humbje nga Leicester sikur fundosin sezonin e mrekullive të Sampaolit. Nuk kanë ekip të denjë për të luftuar në dy frone, aq më pak për ti bërë ballë Realit e Barcelonës në Spanjë.
Për atë edhe është një sezon mrekullish. S’do ta kenë të lehtë të kthjellen ndaj Atleticos. Madrilenët nuk kanë pasur njërën nga ditët më të mira kundër Leverkusenit. Megjithatë të zakonshme për ta janë këto lojëra dhe kalime në rundet vijuese. Për neve si shikues të paanshëm, kjo ndeshje do të duhej të ishte goxha argëtuese.
Manchester City – Liverpool (e diel, ora 5e30)
Nuk duket aq i lehtë sezoni i parë për Guardiolan në Angli! Rënia nga Liga e Kampionëve nuk mund të fajësohet në ekipin e dobët. Si në vlerë në letër, ashtu edhe në fushë Manchester City ka ekipin më të kompletuar në Angli.
Janë larg më të mirë se Liverpool të cilët akoma vazhdojnë të vuajnë në disa pika të fushës, pika të cilat rrjedhin gola në përballjet me ekipe më inferiore. Janë të mirë ndaj ekipeve me renome, për atë mund të presim një paraqitje të mirë në ‘Ettihad Stadium’ të djemve të Kloppit.
PSG – Lyon (e diel, ora 9)
Lyoni kalon në çerekfinale, diçka për të cilën parisienët duhet të ndjehen të turpëruar. Janë në një pikë psikike inferiore ndaj Monacos e Lyonit në Francë, ndoshta. Edhe fitoret eventuale, fitimi i titullit nuk do të duhej të lante gjynahet e të mërkurës së errët.
Por, një gjë nuk duhet të bëjnë parisienët – të prishin këtë ekip. Emery duhet të qëndroj, bashkë me Cavanin, Di Marian, e të tjerët. Nuk kanë nevojë për shumë armë sa kanë nevojë të largojnë pleqtë si Silva e Motta. Receta e hakmarrjes është gati, vetëm duhet të kenë kujdes me sherbet herën tjetër.
Ndërkohë ngritja e Lyonit, Marseille, e edhe Bordeaux e Nice e bën ligën franceze ndër më interesantet këtë sezon në Evropë.