VALDET RAMA
Rama beson në rikthim
4 September, 2014 @17:49
Njëri prej futbollistëve kyç të kombëtares së Shqipërisë, Valdet Rama, nuk do të jetë fare në dispozicion të përzgjedhësit Gianni De Biasi për ndeshjen kundër Portugalisë që do të luhet pas tre ditësh.
Rama nuk është ftuar fare nga De Biasi për këtë ndeshja, për shkak të përgatitjes jo të mirë fizike, pasi futbollisti kishte mbetur pa skuadër pas largimit nga Real Valladolid dhe vetëm pak para përfundimit të afatit kalimtar arriti marrëveshje me një skuadër, përkatësisht me ekipin gjerman, Munich 1860, nga Bundesliga 2.
Mirëpo, mosftesa për ndeshjen kundër Portugalisë nuk e ka zhgënjyer aspak 26 vjeçarin, i cili e arsyeton vendimin e De Biasit dhe beson që shumë shpejt do të kthehet te kuqezinjtë.
“Nuk kishte kuptim që unë të shkoja në kombëtare, përderisa nuk kam bërë stërvitje të rregullt gjatë kësaj kohe. Në të ardhmen e di që do të jem përsëri pjesë e skuadrës,” ka thënë Rama për Panorama Sportin.
Valdet Rama nga 12 paraqitje sa i ka pasur deri më tani me kombëtaren e Shqipërisë ka realizuar 3 gola.