PRISHTINA
Ramadani tregon se a do të kthehet Oto John te Prishtina
10 March, 2021 @18:07
Pas ndeshjes së sotme mes Prishtina dhe Besës që përfunoi me fitoren e thellë të bardhekaltërve, trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani, shfrytëzoi rastin për të sqaruar rastin e sulmuesit Oto John i cili ka mbetur në vendlindje dhe nuk është kthyer ende te Prishtina.
“Ai është futbollist i Prishtinës. Me të vërtetë ne nuk i japim aq shumë rëndësi sa i jepin mediet. Ai është lojtari ynë. Presim që të pajiset me pasaportë dhe të kthehet. Këto janë lajmet e fundit dhe lajme që mbeten deri në fund gjersa të kthehet Oto John-i. Sigurisht që ai është i rëndësishëm për ne, por kur të vjen do të shikojmë se si është situata”, ka thënë Ramadani për kanalin transmetues të ndeshjes, Artmotion.
Ndërkaq, lidhur me ndeshjen ku Prishtina fitoi me rezultat 5-1, Ramadani tha: “Duke marrë parasysh që edhe fusha ishte mjaft e vështirë dhe me borë, që nuk na konvenon neve me lojën e duhur, uroj futbollistët që u ambientuan shumë shpejt në këtë fushë. Uroj futbollistët për fitoren, edhe pse pak na e prishi qejfin ai pranimi i golit, por sido qoftë 3 pikët janë vendimtare. Në këto kushte sic ishin sot, me të vërtetë dhanë maksimumin secili futbollist”.