MEDIA
Rashica e Latifi, në plane të De Biasit
10 November, 2015 @8:47
Ylli i ri i Vitesses dhe ai i Skënderbeut, Milot Rashica përkatësisht, Liridon Latifi - shumë shpejtë pritet që të debutojnë për kombëtaren seniore të Shqipërisë.
Dyshja në fjalë është pjesë e pandashme e Shqipërisë U21 dhe vetëm se kanë ndeshje të rëndësishme kualifikuese me grupmoshat U21, nuk kanë marrë ftesë nga Gianni De Biasi për të qenë risitë tjera të kuqezinjëve në këtë muaj.
“Në listë do të mund të ishin dy futbollistë U21. Liridon Latifi dhe Milot Rashica, por pasi kombëtarja U21 ka ndeshje kualifikuese, nuk kam dashur t’i marr këta lojtarë,” ka thënë Gianni De Biasi në prononcimin e tij lidhur me ftesat e mosftesat e disa lojtarëve në kombëtare për miqësoret e këtij muaji ndaj Kosovës e Gjeorgjisë.
Me këtë strategu italian i Shqipërisë ka lënë të kuptohet se dyshja në fjalë shumë lehtë mund të jetë pjesë e kuqezinjëve për në ekspeditën përfundimtare në EURO 2016 drejt Francës, por së pari duhen treguar veten gjatë këtij stinori si në ekipe ashtu edhe në kombëtare.