DEKLARATA E SEJDIUT
Çdo pikë ka vlerë
9 November, 2015 @20:53
Ferronikeli është pranë përfundimit të gjysmëstinorit si lider i Superligës. Ekipi kampion ka mposhtur pa shumë telashe sot në Drenas Lirinë e Prizrenit për të qenë 3 pikë larg përcjellësit të parë në klasifikim, Llapit.
“Dihet se është finishi i pjesës vjeshtore. Lojtarët kanë gjithashtu ngarkesë, pasi që ka presion edhe për pikë, për të përfunduar gjysmëstinorin sa më mirë. Por, besoj që në fund arritëm fitore të merituar,” ka thënë Sejdiu për mikrofonin e Supersportit sot pas ndeshjes ndaj Lirisë.
Trajneri që solli titullin e parë të kampionit për ekipin drenicak gjithashtu ka vlerësuar pikët e fituara sot, duke thënë se Ferronikeli ka përgjegjësi të madhe në çdo ndeshje si kampion.
“Kemi marrë tre pikë shumë të vlefshme. Çdo kundërshtar është i respektuar nga ne dhe secila fitore ka vlerën e vetë. Pavarësisht këtyre, ne kemi përgjegjësi profesionale për të arritur rezultate maksimale në çdo lojë,” ka thënë ndër të tjera Sejdiu.
Ferronikeli ka fituar 3-0 sot Lirinë, ndërsa Mentor Zhdrella ka shënuar përsëri nga gjuajtja e lirë, që është specialitet i tij. Ekipi gjelbër e bardhë ka shënuar fitoren e nëntë pas 14 xhirove të zhvilluara dhe ka tubuar 29 pikë aktualisht.
Në xhiron e radhës Ferronikeli do të luaj ndaj rivalit rajonal, Drenicës. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin Bajram Aliu të Skenderajit, ndërsa ora dhe dita e ndeshjes pritet të përcaktohen më vonë.