SHIU I MADH NUK I NDAL
Rikthim i madh i Hajvalisë
7 March, 2016 @15:48
15 minutat e fundit të ndeshjes kanë mjaftuar që kandidati për titull kampioni Hajvalia të mos lëshojë pe në “Demush Mavraj” të Istogut sot.
Vendasit kishin marrë epërsinë heret në ndeshje përmes golit të Fatlum Gashit, që shënoi me një goditje nga 17 metra.
Shiu kishte rënduar terrenin shumë, mirëpo kjo nuk ndali të përzgjedhurit e Ismet Munishit që të luftojnë si luanë të vërtetë deri në fund dhe të sigurojnë tre pikët që i vënë ata në vend të dytë të klasifikimit dhe vetëm një pikë më pas se lideri aktual.
Përmbysja nisi me golin e zëvendësuesit brazilian Matheus Da Silva ndërsa shpejtë reaguan mysafirët kur morën epërsinë me golin e Liridon Lecit dhe më pas një autogol i vendasve në tollovi, vendosi gjithçka.
Derisa Hajvalia do të vazhdojë të kërkojë titullin me lojëra të tilla të treguara, Istogu do të duhet të kërkojë pikët e shpëtimit nga rënia diku tjetër.
Derisa ishte në epërsi, Istogu së paku për 30 minuta kishte dalë nga fundi i tabelës, duke e e lënë pas Prishtinën dhe Vushtrrinë.
Por në fund, ata iu kthyen vendit të fundit në klasifikim.