FIORENTINA - NAPOLI

Rrahmani fiton penalltinë, Napoli pranë Champions League
16 May, 2021 @14:25
Një fitore shumë të rëndësishme e ka shënuar Napoli sot në udhëtim te Fiorentina.
Në xhiron e parafundit, Napoli fitoi 0-2 ndaj Fiorentinës, për t’iu afruar shumë sigurimit të një vendi në Ligën e Kampionëve.
Rol në fitoren e Napolit sot e luajti edhe Amir Rrahmani, i cili ishte startues dhe në minutën e 56’ ia fitoi një penallti Napolit, e cila u shndërrua në gol nga Insigne.
Më vonë, Napoli shënoi për 0-2 përmes Zielinskit (67’) dhe kështu e mbylli ndeshjen me fitore 0-2.
Përveç Rrahmanit, që ndeshjen e mbylli me karton të verdhë, startues sot te Napoli ishte edhe Elseid Hysaj. Që të dy luajtën përgjatë gjithë ndeshjes.
Në xhiron e fundit Napoli luan ndaj Veronës në shtëpi, ku me një fitore të mundshme do ta siguronte pjesëmarrjen në Champions League vitin tjetër, pavarësisht rezultateve të kundërshtarëve në ndeshjet e tyre. Gjithashtu, fitorja e Napolit sot ia zvogëlon edhe më shumë gjasat Juventusit për të luajtur në Champions League sezonin tjetër.