GRUPI A
Sadiku mban gjallë ëndrrën kuqezi
19 June, 2016 @22:52
Një gol me kokë i Armando Sadikut në fundin e pjesës së parë i ka mjaftuar Kombëtares Shqiptare që ta fitojë ndeshjen ndaj Rumanisë, duke e mbajtur gjallë ëndrrën kuqezi pas sigurimit të vendit të tretë.
Ndeshja filloi me posedimin e topit nga Rumania, ndërsa më pas ishte Shqipëria që krijoi disa raste për shënim, me golin që erdhi në fundin e pjesës së parë, ku pas krosimit nga Memushaj, daljen e pasigurtë të portierit e shfrytëzoi Armando Sadiku, i cili goditi me kokë dhe shënoi golin historik, të parin për Shqipërinë në një kampionat evropian.
Në pjesën e dytë djemtë e De Biasit u treguan të kujdesshëm, duke u mbrojtur mirë dhe duke rrezikuar përmes kundërsulmeve dhe gola të tjerë nuk pati.
Tashmë gjithçka varet nga rezultatet në grupet e tjera nëse Shqipëria do të jetë njëri nga katër skuadrat më të mira që përfundojnë në vendin e tretë.
Deri në ndeshjen e fundit të xhiros së tretë në grupe, ëndrra kuqezi vazhdon!