FIFA REFUZON ZBUTJEN E SUSPENDIMIT
Santos nga tribunat për EURO 2016, FIFA s’fal
25 September, 2014 @13:10
Portugalia do të duhet të marrë direktiva nga ndihmës trajnerët e Fernando Santosit gjatë kualifikimeve për EURO 2016.
Përfaqësuesja që ndërroi trajnerin pas disfatës nga Shqipëria në 100 vjetorin e Federatës portugeze, nuk do të mund të llogaris që Santosin ta ketë në bankë gjatë kualifikimeve.
FIFA s’fal Fernando Santosin
Kjo, pasi që FIFA konfirmoi edhe njëherë vendimin e saj sot, që dënimi prej 8 ndeshje moskryerje detyre i Fernando Santosit është me vend dhe nuk do të ulet fare.
Fernando Santos ka ofenduar referin e katërt të ndeshjes së tetës së finales së Botërorit Brazili 2014, në takim ndaj Kosta Rikës, ku FIFA e dënoi me 8 ndeshje suspendim nga detyra.
Greqia arriti sukses historik në Botëror duke dalë nga grupet për në të tetën e finales, derisa pas disfatës nga Kosta Rika, Fernando Santos, 59 vjeç, nuk vazhdoi kontratën me fqinjin jugor të Shqipërisë.
Në bankë, nëse arrijnë Francën 2016
Derisa Portugalia ia nisi kualifikimeve me shpresë të madhe, disfata nga Shqipëria në Aveiro, u cilësua si më e rënda në historinë e këtij vendi - me ç‘rast përzgejdhësi i deri atëhershëm, Paulo Bento, u tërhoq nga detyra e tij.
Nëse nuk i ulet vendimi i FIFA-së as pas ankesës së Portugalisë në CAS, Santos mund të rikthehet në ekip, tek në ndeshjen e dytë të Play-Offit, nëse Portugalia shkon si e treta nga Grupi I, ku bën pjesë Shqipëria, ose në rast të kualifikimit direkt, ai do të ulet në bankën e luzitanëve, me nisjen e EURO 2016.
Takimi i radhës
Portugalia ndeshjen e radhës në kualifikime për EURO 2016 e zhvillon ndaj Danimarkës më 14 tetor, derisa kuqezinjtë do t’i presin danezët tre ditë më parë në Elbasan Arena. Rrjedhimisht, pra kur Shqipëria pret Portugalinë në takim si vendas më 7 shtator 2015, Fernando Santos nuk do të jetë në bankën portugeze.