FOLEJA E RE E KUQEZINJËVE
UEFA inspekton Elbasan Arenën përsëri
25 September, 2014 @10:14
Inspektorët e UEFA-së kanë qenë edhe njëherë dje në Elbasan Arena. Qendra e kombëtares shqiptare është nën vëzhgim të pandalshëm të drejtuesve të futbollit europian, për shkak të afatit të punimeve.
Të shoqëruar edhe nga drejtues të Federatës shqiptare të futbollit, ata kanë parë nga afër punimet në Elbasan Arena dhe kanë njoftuar nikoqirët se do të vinë edhe njëherë për certifikimin përfundimtar të stadiumit.
E sa i përket punimeve, drejtori i marketingut dhe marrëdhënieve me publikun pranë FSHF-së, Gazmend Malo, ka thënë se ato janë brenda afateve, por ende nuk dihet dita se kur do të ‘dorëzohen çelësat’ e stadiumit të ri të kombëtares zyrtarisht.
Mediat shqiptare mësojnë gjithashtu se biletat për ndeshjen me Danimarkën që luhen në Elbasan Arena më 11 tetor, do të dalin në shitje më 5 tetor, atëherë kur pritet që të përfundojnë punimet në stadium.
FAKT:
FSHF njofton se hyrjet e emergjencës, salla e konferencave, tribuna VIP, hyrjet për personat me aftësi të kufizuara si dhe arritja e standardeve europiane në cilësinë e transmetimit televiziv - kanë qenë pjesët më të rëndësishme të kontrollit. |