MEDIA
Serbi-Shqipëri, pa tifozë shqiptarë
8 October, 2014 @22:54
Duke u bazuar në burimet e saja brenda Federatës serbe të futbollit, portali serb, Alo, ka mësuar se definitivisht nuk do të ketë tifozë shqiptarë në stadium gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri.
“Atë të cilën e paralajmëruam edhe u zyrtarizua. Tifozëve të Shqipërisë nuk do tu lejohet hyrja në Serbi për ndeshjen që do të luhet më 14 tetor në stadiumin e Partizanit,” shkruan kjo faqe serbe sot.
Më tej portali serb përshkruan edhe deklaratën ekskluzive të komesarit për siguri pranë Federatës serbe, Milivoj Mirkov, të cilën shumë shpejtë pritet ta ketë edhe Federata shqiptare e futbollit.
“Në takimin e sotëm me zyrtarë të Ministrisë së Brendshme (MUP), para Federatës së futbollit kam dhënë qëndrimin zyrtar se Federata shqiptare nuk dëshiron të plotësojë detyrimin e shtetit serb që të jep emrat e secilit person që do të blejë biletën për ndeshje (1125 bileta). Ata e kanë hedhur poshtë kërkesën tonë. Me këtë, është e qartë se do të rrezikohet siguria e tifozëve të Shqipërisë, por edhe të Serbisë, saktësisht, nuk është e mundur që kjo ndeshje të sigurohet në mënyrë të duhur,” është cituar të ketë thënë Markov para drejtuesve të tij.
Me këtë Federata serbe (FSS) do të kërkojë kthimin e biletave nga FSHF-ja për këtë ndeshje.
FSHF nuk ka pranuar t’iu jep bileta vetëm tifozëve nga Shqipëria, por edhe nga të gjitha vendet tjera ku banojnë shqiptarët - gjë të cilën e kishte kërkuar FSS.
FSS, para kësaj kishte kërkuar nga FSHF, që ndeshjet Serbi-Shqipëri dhe Shqipëri-Serbi të luhen pa prezencë të tifozëvë mysafirë, gjë që e kishte refuzuar FSHF-ja.
Mirëpo, tani si duket çështja po merr kahje tjetër dhe Serbia po e arrin qëllimin e saj parësor.