EKIPI I TRETË BRENDA STINORIT PËR ZOGUN

Shpresim Zogu “ikë” nga Feronikeli’74, nënshkruan me Vushtrrinë
22 February, 2023 @14:48
Futbollisti që kishte lënë ekipin e Drenasit për tu bërë pjesë e Feronikelit’74 në afatin kalimtar të janarit, është ndarë nga skuadra e tij pas një ndeshjeje dhe është bërë pjesë e Vushtrrisë.
Vushtrria sot ka bërë të ditur që ka nënshkruar me Shpresim Zogun sulmues, ndërsa futbollisti në fjalë pritet t’i ndihmojë vushtrriasve në rrugëtimin e tyre në Ligë të Parë Grupi B, pasi që po kërkojnë përsëri rikthimin në Superligë.
Në fakt, Vushtrria ishte shumë afër që në stinorin e kaluar të arrijë Superligën, por ishte mposhtur në ndeshjen e dytë të barazhit nga ekipi i Superligës.
Kujtojmë, Feronikeli’74 gjashtë transferet e bëra gjatë afatit kalimtar të janarit i përdori në ndeshje të Kupës, ndërsa pas ankesës së Trepçës’89 dhe vërtetimit se ata nuk ishin të regjistruar sipas rregullave, u eliminua në tavolinë. Njëri nga gjashtë transferet ka qenë edhe Zogu.