SHQIPËRIA - SPANJA
Shqipëria humb kreun, Spanja s’gabon në Loro Boriçi
9 October, 2016 @22:28
Kombëtarja shqiptare ka pësuar humbjen e parë në kualifikimet për Kampionatin Botëror.
Kuqezinjtë pas dy fitoreve të para përballë Maqedonisë dhe Lihtenshtajnit, u ndalën nga përfaqësuesja e fortë e Spanjës, e cila triumfoi me rezultat 0-2.
Pjesa e parë e ndeshjes kaloi me dominimin në pronisë të topit të spanjollëve, por që mbrojtja e Shqipërisë ishte perfekte dhe pa asnjë gabim, duke bërë që skuadrat të shkojnë në pushim pa festë goli.
Ndëshkimi i spanjollëve erdhi pikërisht në gabimin e parë të Shqipërisë, kur portieri Etrit Berisha bëri një pasim të gabuar duke ia dhënë topin kundërshtarit, që më pas topin në rrjetë e dërgoi sulmuesi Diego Costa, i cili u asistua bukur nga David Silva.
Vetëm tetë minuta më pas, erdhi edhe goli i dytë i Spanjës, nga zëvendësuesi Nolito, i cili realizoi bukur pas një depërtimi individual nga krahu i majtë.
Rezultati 2-0 e uli dukshëm tempon e lojës, ku spanjollët me pasime të shpeshta kalonin kohën për të arritur deri te fitorja, derisa Shqipëria e pafuqishme për të sulmuar, u desh të pajtohet me humbjen.
Me këtë humbje, Shqipëria ka rënë në pozitën e tretë në grup pas Spanjës dhe Italisë, ndërsa tani ka pikë të barabarta me përfaqësuesen e Izraelit.