RADARI I BASTOREVE

Shqiptarët nuk dyshohen për kurdisje
27 October, 2013 @11:06
UEFA ende nuk i ka dërguar asnjë raport për kurdisje ndeshjeje, apo edhe dyshim të skuadrave shqiptare, si në gara europiane e edhe në kampionatin shqiptar të nisur më 31 gusht të këtij viti.
As agjencia Sport Radar që punon për UEFA-në duke monitoruar ndeshjet dhe koeficientet që ipen në bastore botërore nuk ka gjetur asgjë të dyshimtë edhe pas dy muajve të Kategorisë Superiore në Shqipëri që tregon se stinori shqiptar për herë të parë ka nisur si duhet, ndërsa edhe rezultatet e arritura në gara europiane, ku Kukësi theu rekord e Skënderbeut i mungoi fati, kanë qenë ndeshje të zhvilluara me djersë dhe rezultati i arrirë në fushë mbetet ende pa asnjë dyshim.
Sport Radar është lider botëror që bën kontrollin e qarkullimit të parave nëpër bastore dhe është e shpërndarë në mbarë Europën. Hetimet e tyre përfshijnë çdo shtet europian.
Prej vitit 2009 deri në vitin 2012 Shqipëria ka qenë në vendin e parë sa i përket kurdisjeve/dyshimeve me 97 ndeshje në të gjitha ligat, ndërsa pas saj vinte Italia me 70 ndeshje në këtë periudhë. Moldavia, Estonia, Greqia, Rusia, Maqedonia, Bullgaria, Letonia dhe Lituania vinin menjëherë pas dy vendeve të para!
Prej vitit 2009 deri në vitin 2012 Sport Radar ka siguruar të dhënat e luhatjeve të koeficientëve në më se 400 kompani bastesh ndërkombëtare, ku kanë figuruar edhe kuotat shqiptare.