KOMBËTARJA

Sonte me dy sulmues
7 June, 2013 @10:22
Dyshja Hamdi Salihi-Edgar Çani pritet ta formojë sulmin kuqezi sonte në ndeshjen ndaj Norvegjisë.
Trajneri italian, Gianni De Biasi, planifikon të paraqitet në fushë me formacionin 4-4-2 ose 4-4-1-1, ku dyshja në fjalë gjithmonë do të jenë dy futbollistët e vijës sulmuese për kuqezinjtë.
Në mesfushë Migjen Basha, Ervin Bulku dhe Valdet Rama me shumë gjasë do ta nisin si titullarë, derisa në krahun e djathtë të mesfushës mund të ketë surpriza nga italiani, pasi në opcion janë disa futbollistë.
Lëndimi i fundit i Debatik Currit, si dhe mungesat e Lorik Canës e Andi Lilës, kanë bërë që De Biasi të ketë pak zgjedhje në mbrojtje. Dyshen në qendër të mbrojtjes pritet ta formojnë Mërgim Mavraj dhe Admir Teli, derisa Armend Dallku në të djathtë dhe Ansi Agolli në të majtë do ta kompletojnë katërshen mbrojtëse.
Në portë Etrit Berisha gjithmonë duket një hap para Samir Ujkanit, për shkak se ky i fundit nuk po gjen hapsirë të mjaftueshëm për lojë te skuadra e tij.