BRAZILI 2014

FSHF
A po shkojmë?!
Shkruan: Dren Shporta
7 June, 2013 @1:27
Shqipëria nuk ka pasur një cikël fantastik të eliminatoreve për Kampionatin Botëror, Brazili 2014, deri më sot, siç na duket euforikisht para ndeshjes me Norvegjinë, shikuar në aspketin realist të gjendjes në tabelë.
Shqipëria ka vetëm nëntë pikë para ndeshjes me Norvegjinë, kur gjysma e ndeshjeve kualifikuese janë zhvilluar. Prej 15 të mundshmeve, vetëm nëntë. E ne do të ishte dashur t’i kemi së paku dhjetë! Pra jemi një pikë në minus. E, edhe 15 të tjera janë në lojë.
Realisti De Biasi
Humbja ndaj Islandës në Tiranë do të në bëj të vuajmë shumë edhe po qe se arrijmë fitore ndaj Norvegjisë. Humbja ndaj Islandës do të harrohet vetëm nëse i marrim katër pikë në dy ndeshjet e radhës ndaj Sllovenisë në Ljubljanë dhe Islandës në Reykjavik në shtator (duke llogaritur që mposhtëm Norvegjinë). Pra, tash e tutje nuk duhet të humbim asnjë ndeshje! (Krejt këto, nëse e duam Brazilin)
Gianni De Biasi e ka me të drejtë. Ndeshja ndaj Norvegjisë, çfarëdo që të ndodh, nuk do të thotë asgjë. Pse? Sepse, pas saj edhe katër ndeshje tjera janë për tu zhvilluar - prej të cilave tre duhet të luhen jashtë. Strategu italian e din se fitorja jashtë vendit është tepër e vështirë ndaj çdo kundërshtari - sepse në Grupin E ku gjendet edhe Shqipëria, nuk ka asnjë ekip autsajder të tipit Andora, Lihtenshtajn e San Marino. As Zvicra nuk arriti ta mposhtë Qipron jashtë! E tash merreni me mend!
Nuk dua të jem pesimist, por sido që shihet ky grup, Shqipëria tash e tutje nuk duhet të humb.
Sulmuesi
E mira e grupit është që të gjitha përfaqësueset janë deri diku të barabarta dhe asnjë ndeshjeje s’i dihet. Çdokush mund të fitojë çdokë, hiq Zvicrën, edhe pse jo superfuqi futbolli, si Gjermania, Italia, Franca, etj.
Çka është shpresa? Shpresa e këtij grupi dhe e asaj që shihet është që aktualisht Shqipëria ka sulmuesit më në formë në grup. Hamdi Salihi përkundër se është duke luajtur në Kinë, është sulmuesi që ka përvojë më të madhe dhe është më në formë nga të gjithë sulmuesit në Grupin E, dhe kjo do të thotë shumë.
Pse? Sepse ndeshjet e këtij grupi janë tejet të papërcaktueshme nga fillimi dhe mund ta vendos një rast i vetëm. E Hamdiu këtë e tregoi në Oslo.
Nuk e di a do të jetë Salihi nesër në kombinimin startues të De Biasit, por ai është më i miri nga të gjithë. Shikoni sulmuesit e të gjitha përfaqësueseve dhe do të shihni se Salihi është ai. Ai që do të vendos. Siç vendosi ndaj Norvegjisë në Oslo.
Shembull. Polonia është kualifikuar në Kampionatin Botëror të vitit 2002 në Japoni e Kore, vetëm në saje të sulmuesit të tyre. Gati asnjëri nga gjenerata e tashme e njohur nuk ka qenë pjesë e saj. Atëherë nuk ka pasur gjeneratë të: Lewandowski, Blaszczykowski, Piszczek, etj. Atëherë Polonia e ka pasur një sulmues të mirë që i ka sjellë fitoren dhe të tjerët kanë qenë futbollistë. Sulmuesi i atëhershëm i polakëve është quajtur Emanuel Olisadebe. Nigeriani i natyralizuar ka qenë zgjidhja e polakëve që ka dhënë gola në momente kyqe dhe Polonia ka shkuar në Japoni e Kore 2002.
Shikoni edhe njëherë sulmuesit e të gjithë kundërshtarëve në Grupin E. Sllovenia, më të mirin e ka 34 vjeçar, Milivoje Novakovic. Zvicra, më të mirin e ka, Eren Derdiyok, 24 vjeç. Qiproja, Nektarios Alexandrou, 29 vjeç. Norvegjia më të mirin e ka, Daniel Braaten, 31 vjeç. Ndërsa Islanda, Alfred Finnbogason, 24 vjeç.
Shqipëria e ka sulmin më të mirë në grup dhe zgjidhja për të shkuar në Brazil është - e thjeshtë - shuti i Hamdi Salihit në Oslo.
Brazili
Ndeshjet në Grupin E, janë të barabarta - edhe njëherë - dhe fitoren mund ta sjellë çdokush - por, rrugën për Brazil e hap sulmi. E Shqipëria është më e mirë aty!
A po shkojmë apo jo?!