1/8: ANGLIA - GJERMANIA
Sterling e Kane për fitore, Anglia eliminon Gjermaninë!
29 June, 2021 @19:57
Çerekfinalistja e shtatë e EURO2020 është përfaqësuesja e Anglisë!
“Tre Luanët” sonte në Wembley e mposhtën Gjermaninë 2-0, për ta siguruar kështu një vend në mesin e tetë më të mirëve të kampionatit evropian.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërkohë që gjatë kësaj pjese skuadrat patën shumë pak raste serioze për shënim.
Për anglezët rrezikoi Sterling me një gjuajtje nga distanca, gjuajtje e cila u prit nga Neuer, e më vonë golit iu afrua Kane falë një rrëmuje krejt në fund të pjesës së parë. Te gjermanët rastin më të mirë në pjesën e parë pati Werner, gjuajtja e të cilit nga jo shumë larg u prit nga Pickford.
Në pjesën e dytë, ndeshja ishte më e gjallë e fitoren e morën anglezët.
Goli i parë i ndeshjes u pa në minutën e 75’ dhe erdhi nga Sterling, i cili shënoi pas topit të ardhur nga krahu i majtë nga Shaw. Nga i njëjti krah, por kësaj here me Grealishin asistues, Anglia e shënoi edhe golin e dytë përmes Harry Kanet në minutën e 86’, për ta mbyllur kështu ndeshjen me fitore 2-0.
Para se Anglia ta shënonte golin e dytë, rast tejet të mirë për shënim pati Thomas Müller i gjermanëve, i cili gaboi i vetëm para portierit anglez. E kjo iu revanshua gjermanëve, që pësuan edhe golin e dytë dhe kështu humbja e tyre u vulos.
Ndër të tjera, pas 4 ndeshjeve të luajtura këtë kampionat, Anglia ende nuk ka pësuar gol.
Në çerekfinale Anglia e pret fituesin nga dueli i sontëm mes Suedisë dhe Ukrainës, kurse Gjermaninë në ndeshjen e saj të ardhshme do ta shohim të drejtuar nga Hansi Flick, pasi që për Löw sonte ishte ndeshja e fundit si kryetrajner i “Die Mannschaft”. Për më tepër, pas eliminimit të Gjermanisë, tashmë të gjitha skuadrat e grupit të vdekjes (Franca, Portugalia, Gjermania, Hungaria) janë eliminuar nga kampionati evropian.