OTO JOHN

Oto John duke festuar golat e tij dje/ Foto: prishtinafc.com
Sulmuesi që e bëri kampion ‘89shin, bën lider Prishtinën
14 June, 2020 @10:19
Futbollisti nigerian, Oto John, që në stinorin 2017/18 bëri kampion Trepçën’89 për herë të parë në histori të klubit me 17 golat e tij të shënuar në kampionat, po vazhdon me super-ritëm në Superligë të Kosovës, këtë stinor me Prishtinën.
Prishtina, që e angazhoi Johnin nga Skënderbeu i Korçës në afatin kalimtar të janarit, tashmë ka arritur kreun e tabelës me formën e mirë të ekipit, ndihmuar edhe nga golat e nigerianit.
John që aktualisht ka shtatë gola të shënuara në Superligë, më shumë se çdo lojtarë në Superligë nëse llogariten golat e stinorit pranveror.
E vetë John është i kënaqur me arritjet, por e tëra që kërkon nga ekipi është të vazhdojnë me këtë ritëm.
“Ne u angazhuam maksimalisht që nga kjo ndeshje të marrim pikët e plota e pastaj patëm mundësi edhe manovrimi. Jam i lumtur për golat, jam i lumtur me shokët e ekipit dhe ekipin në tërësi. Jam i kënaqur me këto tre pikë dhe krejt çfarë dua është të vazhdojmë me këtë ritëm. Natyrisht se jam i kënaqur me statistikat e mia dhe dua të ndihmoj ekipin të arrijmë, krijojmë golin dhe lutëm shumë të vazhdojmë sa më gjatë kështu,” - ka thënë ai për faqen zyrtare të klubit të vet pas fitores së djeshme, që u arrit me golat e tij.
Ndërsa në total ai në nëntë ndeshje të zhvilluara për Prishtinën ka shënuar nëntë gola, pasi që ka tundur rrjetën edhe dy herë në Kupë, duke pasur mesatare prej 1 goli për ndeshje.
Përndryshe John nuk është fare vetjak, pasi që në pesë raste ka regjistruar edhe asistime për shokët e skuadrës në Superligë - duke e bërë të rëndësishëm në çdo aspekt të fazës së sulmit të skuadrës.
Përndryshe, Prishtina është këndellur me ardhjen edhe të Armend Dallkut trajner, që mori Johnin nga Korça në Prishtinë, kurse ekipi ka arritur në krye të tabelës dje me fitore ndaj Vushtrrisë dhe është me një pikë mbi Dritën e Gjilanit, që luan sot ndaj Trepçës’89.
Bardhekaltërit nga kryeqyteti me mall po e kërkojnë titullin e kampionit, të cilin nuk e kanë fituar për rekord vite tashmë, pasi që kanë hyrë në vitin e shtatë.
Herën e fundit Prishtina është bërë kampione e Kosovës në stinorin 2012/13. A do të realizohet gëzimi i madh i bardhekaltërve në fund të këtij stinori 2019/20 - mbetet të shihet në xhirot në vijim, derisa forma e ekipit duket perfekte në fazën “post-pandemike”: tri fitore (një në kupë dhe dy në Superligë) me 13 gola të shënuara, karshi një të pranuare).