KOSOVA - MADAGASKARI

Super debutim nga Zhegrova, Kosova mposht Madagaskarin
24 March, 2018 @20:52
Në miqësoren e parë të muajit mars, përfaqësuesja A e Kosovës ka shënuar fitore ndaj Madagaskarit, fitore e cila vjen në debutimin e përzgjedhësit Bernard Challandes me Kosovën.
Pjesa e parë kaloi pa gola, ndërsa në këtë pjesë më e rrezikshme u tregua përfaqësuesja afrikane, e cila e udhëhequr nga anësori Ibrahim Amada, fillimisht e fitoi një penallti, të cilën e shpërdoroi, e më pas rrezikoi nga një gjuajtje nga pak e metra, e cila u prit nga Ujkani. Në anën tjetër, Kosovës iu anulua një gol për shkak të pozicionit jashtë loje të Vedat Muriqit pak minuta para se gjyqtari të akordonte penallti për Madagaskarin.
Në pjesën e dytë, Kosova startoi fuqishëm. Në debutimin e tij me Kosovën, 18-vjeçari Edon Zhegrova e gjeti rrjetën me një goditje fantastike në minutën e 47’ të ndeshjes, për t’ia dhënë Kosovës epërsinë minimale. Përveç golit të shënuar, Zhegrova në përgjithësi zhvilloi një ndeshje fantastike, duke qenë një nga më meritorët në këtë fitore të Kosovës.
Në vazhdim të ndeshjes rast të mirë për shënim pati edhe Milot Rashica, i inkuadruar nga banka rezervë, goditja e të cilit në minutën e 68’ të ndeshjes ishte e pasaktë. 2 minuta më pas, një rast i mirë u paraqit për kundërshtarin e Kosovës, por një reagim i mirë i Ujkanit nuk lejoi barazimin e rezultatit.
Njëjtë si në pjesën e parë, Kosovës iu anulua në gol edhe në pjesën e dytë. Këtë herë goli iu anulua Atdhe Nuhiut, duke bërë që rezultati të mbetej i pandryshuar deri në fund dhe Kosova ta mbyllë ndeshjen me fitore minimale 1-0.
Miqësoren e ardhshme Kosova e luan ndaj Burkina Fasos më 27 mars në të njëjtin stadium.