TOP 100 FUTBOLLISTËT E VITIT 2021
TheGuardian (TOP 100): Lewa rivalizon Messin e Ronaldon
25 December, 2021 @9:45
Është quajtur si lojtar i pangopur. Ai nuk përton të shënojë sa herë që të mundet dhe ndaj cilitdo. Tashmë ai ka statistika që e bëjnë rival të denjë për legjendat e dy dekadave të kaluara, Lionel Messi e Cristiano Ronaldo.
Robert Lewandowski, për herë të dytë me radhë është shpallë futbollisti më i mirë i vitit në botë nga the Guardian, ndërsa polaku këtë vjet ka lënë pas tij Lionel Messi dhe Mohamed Salah.
Egjiptasi i Liverpoolit, për herë të parë ka arritur që të hyjë në TOP 3 të TOP 100-shes vjetore të the Guardian.
Kalojmë te fituesi, ai ka dëshirë që nuk soset. Të shënojë dhe të shënojë sa herë dhe kudo që mundet. Ndërsa si shpjegim kryesor për fitoren e polakut shtatëgjatë është thënë të jetë modestia e tij. Ule kokën dhe puno. Deri të arrin te majet.
“Aspekti më i theksuar i ngritjes së Robert Lewandowskit në krye të lojës botërore, atëherë, por edhe tash, është që ai ka qenë vazhdimisht i thjeshtë, modest dhe ka shikuar lojën e vetë, përkundër se shumë kush e prezantonte si rivalizues së dy lojtarëve më të mëdhenjë të dekadave të kaluara. U ndie se çmimet individuale kurorëzohen me arritjet ekipore. E Bayern München, në shkurt të vitit 2021 u bë ekipi i vetëm në botë (pas Barcelonës së Pep Guardiolës) që ka arritur të fitojë sekstetin e kupave vjetore, kur mori Kupën e Botës për klube,” ka shkruar ndër të tjera gazeta.
Ai me falenderim e mori edhe rekord-thyerjen e legjendës së klubit dhe të Gjermanisë, Gerd Müller. Me përulësi pranoi momentin e kurorëzimit të më të mirit në Bundesligë, me më së shumti gola të shënuara për stinor, duke e rrëzuar nga froni Müllerin.
E pa dyshim, ai fundin e vitit e karakterizoi edhe me çmimin e posa krijuar nga France Football, Sulmuesi më i mirë i vitit 2021, derisa për pak nuk arriti ta ndalë Lionel Messin nga Topi i shtatë i Artë i tij (tregim tjetër ky).
Kështu, juria e the Guardian edhe nuk e kishte aq vështirë që të votonte më të mirin e vitit. Mbi 50% e jurisë e votuan atë si futbollistin më të mirë të vitit, mdërsa Messi ishte i dyti me 17%, para “faraonit” Salah, me 10.
the Guardian, jurisë ia jep mundësinë që të votojë për 40 futbollistë nga e gjithë bota me pikë prej 40 për më të mirin, e 1 pikë për pozitën e 40!
Për të qenë një futbollist në listë të the Guardian, ai është dashur të merr së paku një votë nga së paku 5 anëtarë të jurisë.
Milot Rashica dhe Vedat Muriqi kanë qenë futbollistët e vetëm të Kosovës që janë përmendur në listën e gjerë të the Guardian dhe atë si futbollistë që nuk kanë marrë asnjë votë nga juria në vitin 2021 (bashkë me mbi 200 futbollistë tjerë), ndërsa më parë kanë bërë pjesë në TOP 100-shen e botës.
Përndryshe Rashica kishte pozitën jo të kualifikuar, të 484 në botë. Ndërsa Muriqi atë të 542-të. Lista e plotë e TOP 100-shes, me fotografi në Facebook lidhjen e mëposhtme.