ABRASHI
T’i evitojmë gabimet dhe të tregojmë lojën tonë
13 June, 2016 @23:10
Mesfushori i palodhshëm i kombëtares shqiptare, që sot ka qenë në formacionin kryesues të Gianni De Biasit në stërvitje para ndeshjes së radhës, Amir Abrashi, ka thënë se po nuk gaboi në minutat e para Shqipëria, ndeshja do të shkojë ndryshe.
Ai ka qenë bashkë me Ermir Lenjanin në konferencë për shtyp të organizuar nga FSHF, ndërsa ka thënë se gabimet duhet përmirësuar para ndeshjes së radhës.
“Kemi analizuar tepër mirë ndeshjet e kaluara, por kemi shikuar edhe Francën. Ne kemi pasur miqësore tepër të mira ndaj tyre dhe tashmë nuk duhet bërë gabimet që i bëmë në ndeshjet e kaluara,” ka thënë Abrashi, që në stinorin vijues pritet të luaj në Bundesligë me ekipin e tij Freiburg.
Numri 22 i kombëtares shqiptare ka qenë i qartë edhe sa i përket gabimeve që i bën kombëtarja.
“Pasi që po pranojmë gol shpejt, loja e kundërshtarit po bëhet edhe më e vështirë për ne. Prandaj ne duhet evituar këto gabime dhe duke treguar lojë më të mirë të shkojmë përpara,” ka thënë në fund ai.
Shqipëria po debuton në europian këtë vit, ndërsa në ndeshjen e parë të Grupit A ndaj Zvicrës u mposht 1-0.
Aktualisht, Franca dhe Zvicra kryesojnë Grupin A me nga 3 pikë, derisa Shqipëria e Rumania nuk kanë pikë të fituara.
Shqipëria përballjen e radhës e zhvillon ndaj Francës në Marseille më 15 qershor, ndërsa në duelin e fundit takohet me Rumaninë më 19 qershor në Lyon.