SHQIPËRI

Foto: KF Partizani Facebook
Tirana “lëshon” titullin nga duart, Partizani pranë tij
25 May, 2023 @18:18
Ditë e çmendur në futbollin e Shqipërisë!
Ndonëse u mendua se Tirana do ta fitonte titullin kampion pasi nuk u mposht në derbin direkt nga Partizani, rezultatet e ditës së sotme kanë bërë që tashmë Partizani të jetë shumë pranë titullit, kur ka mbetur edhe një xhiro deri në fund.
Partizani sot e fitoi 1-4 ndeshjen ndaj Kastriotit, kurse Tirana befasisht u ndal 2-2 nga Bylisi në shtëpi.
Barazimin Bylisi e gjeti përmes një penalltie në minutën e 87’, penallti e cila nxiti reagime të shumta të tifozërisë dhe lojtarëve vendas, duke e ditur që ajo penallti mund të jetë fatale për ta në humbjen e titullit kampion.
Rrjedhimisht, falë rezultateve më të mira në përballjet direkte, Partizani tashmë ka kaluar në krye me 64 pikë, aq sa ka edhe Tirana.
Tashmë gjithçka është në dorën e Partizanit. Për ta fituar titullin kampion, Partizanit i mjafton një fitore në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Teutës në shtëpi, e Tirana ndeshjen e fundit e luan në udhëtim te Erzeni.