SIGAL PRISHTINA

BOROZANI/Lis Dorambari
Udhëtim drejt finales
7 April, 2015 @9:58
Skuadra e Prishtinës ka arritur të shënojë një fitore të madhe në ndeshjen e parë gjysmëfinale ndaj Kozuvit të Gjevgjelisë për t’iu afruar shumë finales.
Bindshëm dhe me lojë, por edhe me avantazh, 24 pikë duken vështirë të kapshme prej Kozuvit në ndeshjen e nesërme, derisa Prishtina në këto momente ka marrë rrugë për takimin e nesërm.
Skuadra maqedone është njëra ndër skuadrat më serioze të këtij stinori në Balkan League. Me muaj të tërë ata nuk kanë ditur çka është humbja duke i mposhtur të gjithë kundërshtarët me radhë, përfshirë këtu edhe Prishtinën, derisa ishin pjesë e të njejtit grup.
Mirëpo, pas shkatërrimit të Craiovas në çerekfinale, Prishtina ia shkaktoi humbjen më të thellë të stinorit edhe Kozuvit, për të bërë hapin e madh drejt finales së parë të BIBL.
Marjan Ilievski ka kërkuar që basketbollistët të jenë të koncentruar edhe në këtë takim në maksimum dhe të mos luajnë për rezultat, përkundër epërsisë 24 pikëshe, por të kërkojnë fitore edhe në Gjevgjeli.
Ekipi prishtinas nuk ka ndonjë lojtar të raportuar si të lënduar ose mungesë për ndonjë arsye tjetër, që do të thotë se udhëtojnë me 100% të kapacitetit.
Sikurse Prishtina, edhe Kozuvi nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje që nga takimi i parë gjysmëfinal në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve dhe rivali është stërvitur maksimalisht për këtë ndeshje.
Për më tepër, nëse Peja do të arrijë finalen sonte në Karagaç në përballje ndaj Rilskit, e Prishtina nesër të vërtetojë forcën ndaj Kozuvit, Kosova do të ketë festë në finalen e ligës ballkanike ku takohen forcat më të mëdha të basketbollit në vend.