VJEN VENDIMI PËR DATËN E NDESHJES
UEFA cakton datën për ndeshjen Kosova-Izraeli
23 October, 2023 @23:10
UEFA përfundimisht ka përcaktuar datën e zhvillimit të ndeshjes kualifikuese për EURO 2024 ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, e cila nuk u zhvillua gjatë tetorit për shkak të situatës në Izrael.
Për këto ndeshje, UEFA gjithashtu ka bërë të ditur se klubet do të kenë obligim që të lëshojnë maksimalisht një lojtar nga vendi i përcaktuar për këtë ndeshje dhe lirimi i lojtarit do të bëhet vetëm dy ditë para ndeshjes, bazuar në vendimin e veçantë të FIFAs për situata të jashtëzakonshme, pasi që nuk ka data tjera të lira në muajin nëntor për duele ndërkombëtare të shteteve.
Kështu, në njoftimin e fundit të lëshuar për media, UEFA ka bërë të ditur se ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Izraelit do të zhvillohet të dielën më 12 nëntor 2023.
TABELA AKTUALE, ORARI dhe REZULTATET
Ndeshja në fakt është dashur të luhej më 15 tetor, por u shtye. Kosova nuk arriti as të aranzhojë miqësore për këtë datë. Ndërsa Izraeli ka një ndeshje të shtyer edhe me Zvicrën në këtë grup, që është dashur të luhet më 12 tetor.
Përballja e parë e Kosovës, ndaj Izraelit në Tel-Aviv kishte përfunduar me barazim 1-1, ku Kosova kishte dalë e para në epërsi përmes Milot Rashicës, ndërsa në pjesë të dytë Peretz barazoi për të ndarë pikët.
Grumbullimet e rregullta për ndeshjet kualifikuese të nëntorit bëhen pas datës 15 nëntor, ndërsa Kosova do të luajë më 18 nëntor duelin si mysafir i Zvicrës dhe më 21 nëntor përfundon kualifikimet me ndeshje ndaj Bjellorusisë në Prishtinë.
Kosova ka humbur gjasat për tu kualifikuar në EURO 2024, ndërsa teoria e gjasave thotë se mundësitë e Dardanëve për EURO 2024 janë nën 1 përqind.