DRITARJA E RE E SHITBLERJES SË BILETAVE!
UEFA hap portalin për shitblerje të biletave të EUROs
6 March, 2024 @19:19
Përmes një njoftimi, UEFA ka bërë të ditur se nga sot të gjithë fituesit e biletave të EUROs, mund t’i shesin biletat e tyre në platformën zyrtare të UEFA-së, uefa.com/euro2024/ticketing.
Personat që kanë blerë biletat dhe nuk do të mund të jenë prezent në ndeshjen ku kanë fituar bileta - mund t’i shesin që nga sot. Gjithashtu, personat që kanë fituar shumë bileta për një ndeshje - dhe nuk dëshirojnë t’i dhurojnë ato dikujt, mund t’i shesin që nga sot.
Ndërkaq, të interesuarit për t’i blerë biletat në shitje duhet të presin edhe një javë, ashtu që UEFA t’i grumbullojë të gjitha biletat dhe t’i marr xhirollogaritë e personave që shesin. Pas kësaj, prej sot një javë, blerësit potencial të biletave në rishitje do të kenë 24 orë mundësi për të blerë bileta për ndeshjen e caktuar.
Në rishitje të biletave do të përdoret opcioni first-come first-serve, që do të thotë kush arrin i pari në radhë të pritjes online, do të ketë mundësinë t’i blejë ato. I gjithë procesi i shitblerjes së biletave bëhet në portalin ku është aplikuar fillimisht dhe ku janë siguruar biletat përmes uefa.com.
Përndryshe, UEFA-ja gjithashtu do të nis shitjen e biletave pas ndeshjeve të playoffit, kur edhe tre kombëtaret e fundit do të sigurojnë EUROn. Aty do të mund të aplikojë secili.
Kurse, sa i përket biletave të llotarisë së parë të UEFA-së për të cilën aplikimi ishte i hapur deri në dhjetor të vitit të kaluar - ato tashmë po shiten hapur nga agjencione turistike të ndryshme me çmim deri në 500 euro për copë, për ndeshjet e fazës grupore!
E në faqen zyrtare të UEFA-së, biletat më të lira janë të kategorisë 4 30 euro, pastaj vijnë me nga 60 euro, 150 euro dhe 200 euro të kategorisë 1.