SAMIR UJKANI
Ujkani: Po bëhemi ekip më burrëror
12 November, 2016 @20:32
Njëri prej lojtarëve më të dalluar për Kosovën në humbjen e sotme ndaj Turqisë ishte Samir Ujkani.
Portieri kosovar pësoi dy gola, mirëpo bëri disa pritje vendimtare, duke mos lënë që rezultati të ishte më i thellë në fund.
Ujkani pas ndeshjes komentoi lojën e Kosovës, duke e quajtur ate më burrërore në krahasim me ndeshjet e kaluara.
“Turqia ka super-talentë dhe ata luajtën shumë mirë. Kishim fat të keq pasi nuk shënuam në pjesën e parë, kur Valon Berisha goditi shtyllën. E dinim që duhet të kishim shumë kujdes në fillim të pjesës së dytë, kur edhe i pësuam golat. Mirëpo megjithatë kësaj radhe nuk e lëshuam përqëndrimin dhe u mbajtëm mirë në vazhdim, ndryshe nga ndeshja me Kroacinë. Treguam se po bëhemi ekip më burrëror me kohë,” tha ai.
Më tej, Ujkani foli edhe për paraqitjen e tij, pasi bëri disa pritje vendimtare sidomos në pjesën e parë, duke dhënë kështu përgjigje atyre që e kritikonin për shkak të paraqitjeve jo të mira në ndeshjet e mëparshme.
“Unë gjithmonë mundohem të jap 200 përqind për këtë ekip. Mendoj se për çdo ndeshje e kam dhënë maksimumin dhe kush më njeh, e di këtë punë. Normalisht, nuk jemi të kënaqur pasi kemi humbur. Duhet të punojmë shumë më shumë, por kjo do të bëhet dalëngadalë pasi që jemi një grup i ri,” përfundoi kapiteni dardanëve.