TURQIA - KOSOVA
Kosova bie në pjesën e dytë
12 November, 2016 @19:42
Kosova ka pësuar edhe humbjen e tretë rresht në kualifikimet për Kampionatin Botëror, Rusia 2018.
Kësaj radhe, futbollistët tanë u mposhtën nga përfaqësuesja e Turqisë, në ndeshjen që u zhvillua në qytetin bregdetar turk, Antalya.
Pjesa e parë e ndeshjes përfundoi pa gola, 0-0, ndërsa gjatë kësaj periudhe shkëlqeu portieri Samir Ujkani, i cili ndali disa raste të qindpërqindta të turqve, duke mos lejuar prishjen e baraspeshës në rezultat.
Valon Berisha kishte rastin më të mirë për Kosovën, kur në minutën e fundit të pjesës së parë tentoi ta mposht portierin Volkan Babacan, mirëpo goditja e tij u ndal në shtyllë.
Pjesën e dytë përzgjedhësi i Turqisë, Fatih Terim, e filloi duke bërë zëvendësimin e parë, ku në vend të mesfushorit Oguzhan Ozyakup, e futi në lojë mesfushorin tjetër, Yunus Malli.
Pikërisht ky ndryshim dha edhe rezultat, pasi Malli me depërtimin e tij nga krahu i djathtë, asistoi drejt sulmuesit Burak Yilmaz, i cili megjithëse ishte i kthyer me shpinë kah porta dardane, arriti të shënojë për 1-0 në minutën 51’.
Katër minuta më vonë përsëri Burak Yilmaz u gjend në pozicion të mirë për të shënuar, ndërsa goditja e tij me parabolë u kthye nga shtylla, ku më pas Volkan Sen u gjend më së miri për ta dyfishuar epërsinë e turqve.
Ky rezultat e uli tempon e lojës paksa te ana e ekipit turk, ndërsa tentimet e Kosovës për të sulmuar, nuk dhanë fryte.
Interesant ishte fakti se përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki, përgjatë 90 minutave lojë nuk bëri asnjë zëvendësim, duke i besuar 11-shes fillestare.
Me këtë humbje Kosova mbetet në pozitën e fundit të grupit I me vetëm një pikë, derisa për Turqinë kjo ishte fitorja e parë në këta kualifikime.