PËRFAQËSUESJA
Takim mes dy federatave para ndeshjes
Teksti: FFK
12 November, 2016 @14:58
Përmes një njoftimi për media, Federata e Futbollit të Kosovës njoftoi që sot ndodhi një takim mes krerëve të federatës të Kosovës dhe atyre të federatës turke të futbollit.
“Sot Federata e Futbollit e Turqisë shtroi drekë tradicionale për Federatën e Futbollit të Kosovës, gjatë secilës u bashkëbisedua për marrëdhëniet ndërmjet federatave. Duke i përshëndetur delegacionin e FFK-së nënkryetari i Federatës turke,Semet Yardimci, edhe një herë u shpreh për marrëdhëniet që kanë dy shtetet Turqia dhe Kosova e në veçanti marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet federatave. Z. Yardimici foli për thellimin e këtyre marrëdhënieve dhe se Federata turke do të vazhdojë ta ndihmojë dhe ta mbështesë edhe më tutje FFK-në në të gjitha fushat. Ndërkaq, kryetari i FFK-së Fadil Vokrri duke falënderuar Federatën turke për mikpritje, tha se ne kemi kaluar nëpër një kohë të vështirë dhe kur na u lejua zhvillimi i ndeshjeve ndërkombëtare ishte federata turke e cila pa asnjë kusht erdhi në Kosovë për ta zhvilluar një ndeshje miqësore me Kosovën. Po ashtu Federata turke ishte kah FFK-së në të gjitha proceset e pranimit të FFK-së në UEFA dhe FIFA, për çka u jemi shumë mirënjohës dhe falënderues. Unë besoj se marrëdhëniet tona do të kultivohen edhe më shumë dhe bashkëpunimi jonë do të jetë shumë afatgjatë. Në fund të drekës u shkëmbyen edhe dhurata,” - shkroi FFK-ja në njoftimin e tyre për media.
Siç dihet, Kosova dhe Turqia do të luajnë kundër njëra-tjetrës sot me fillim nga ora 18:00 në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Rusia 2018”.