ALBERT BUNJAKI
Bunjaki: Kemi përfaqësuese të re dhe një grup me rivalë të fortë
11 November, 2016 @16:33
Përfaqësuesja e Kosovës nesër do ta zhvillojë ndeshjen e katërt në kualifikimet për Kampionatin Botëror “Rusia 2018”, ku do të ndeshet me përfaqësuesen e Turqisë në qytetin bregdetar turk, Antalya.
Përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki, sot ka qenë prezent në konferencën për shtyp, ku ka folur në lidhje me këtë ndeshje.
Bunjaki, ka bërë të ditur se Bernard Berisha nuk ka qenë në stërvitjen e sotme për shkak të temperaturës, ndërsa e rikonfirmoi që në planet e tij të së ardhmes është edhe sulmuesi shtatlartë, Atdhe Nuhiu.
“Jemi në një grup shumë të fortë, i kemi pasur tri ndeshje jashtë Kosovës. Gjendja e ekipit është e mirë. Berndard Berisha ka pasur pak temperaturë dhe si rrjedhojë sot do të pushojë në stërvitje. Kemi edhe disa futbollistë që do të na bashkohen. Atdhe Nuhiu mbetet në planet tona dhe të tjerë.”
Më pas, tekniku kosovar u përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve, duke treguar arsyen e mungesës së sulmuesit Albert Bunjaku, i cili ishte ftuar në grumbullim.
Sipas Bunjakit, sulmuesi me përvojë i përfaqësueses kosovare nuk është në mesin e tyre për shkak të lëndimit.
Në fund, Bunjaki tha se grupi në kualifikimet e Botërorit është shumë i fortë dhe për këtë arsye objektivi më real për Kosovën do të ishte Europiani i vitit 2018.
“Kemi një përfaqësuese të re me moshë mesatare 22-23 vjeçe, që kemi filluar të garojmë vetëm që dy muaj, kurse e kemi një grup me rivalë shumë të fortë, prandaj duhet të kemi durim dhe sukseset do të vijnë. Kisha dashur që të kualifikohemi në Botëror, por e kam thënë edhe më herët se kualifikimi në Europian është objektiv më real,” përfundoi ai.