DYSHJA TURKE
Arda dhe Burak ndjekin rekorde ndaj Kosovës
11 November, 2016 @11:53
Dy futbollistët e ftuar së fundi nga Fatih Terim për ndeshje ndaj Kosovës, Arda Turan dhe Burak Yilmaz, janë në ndjekje të rekordeve dhe këtë e duan ndaj Kosovës.
Mesfushori i Barcelonës, Arda Turan, deri sot ka veshur 94 herë fanellën e Turqisë dhe nëse futet në lojë ndaj Kosovës do të arrijë shifrën e 95 paraqitjeve për kombëtaren turke, duke e lënë pas ish-reprezentuesin Tugay Kerimoglu. Ish-portieri Rustu Reçber ka më së shumti paraqitje me Turqinë, 120.
Në anën tjetër, sulmuesi Burak Yilmaz që luan për Beijing Guonin e Kinës, nëse i shënon gol Kosovës do të shkojë në vend të dytë të golashënuesve më të mirë në histori të reprezentacionit turk, me 22 gola. Ai deri tash ka 21 gola të shënuara për Turqinë. Ish-sulmuesi Hakan Sukur është golashënuesi më i mirë i Turqisë në histori, me 51 gola të shënuara.