PA BUNJAKUN
Golashënuesi më i mirë i Kosovës, nuk do të luaj ndaj Turqisë
10 November, 2016 @12:14
Sulmuesi i St Gallenit dhe golashënuesi më i mirë i përfaqësueses së Kosovës në futboll, Albert Bunjaku, nuk do të paraqitet në ndeshjen me Turqinë.
Sipas një njoftimi të botuar sot në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) thuhet që Bunjaku është i lënduar dhe nuk ka udhëtuar fare për në Antalya të Turqisë, derisa dje vetë FFK-ja kishte çuar njoftim për media duke thënë se nuk ka mungesa!
“Shtabi teknik i Përfaqësueses së Kosovës bën të ditur se mosardhja e sulmuesit Albert Bunjaku për ndeshjen kundër Turqisë ishte e njohur para grumbullimit, për shkak të një lëndimi që ka pësuar futbollisti. Kjo është arsyeja e vetme e mungesës së tij dhe shtabi i uron shërim sa më të shpejtë në mënyrë që t’i kthehet lojës së futbollit,” ka shkruar njoftimi i FFK-së sot.
Bunjaku ka shënuar 3 gola me Kosovën ndërsa ka qenë në formë të mirë me ekipin e tij St Gallen, ku ka shënuar disa gola në ndeshjet e fundit të ekipit.